Braziliani i natyralizuar në italian, Emerson Palmeiri do të zëvendësojë Leonardo Spinazzolën në formacionin e “të kaltërve” për gjysmëfinalen ndaj Spanjës, por mund të bëjë të njëjtën gjë edhe te klubi i Romës.

Duke qenë se Spinazzola pritet të mungojë përreth 6 muaj dhe do të rikthehet vetëm në fillim të vitit të ardhshëm, drejtuesit e klubit verdhekuq kanë kontaktuar me Chelsea-n për të marrë në huazim Emerson Palmeirin.

Ky i fundit nuk bën pjesë në planet e trajnerit Tuchel, pasi në atë krah është titullar Ben Chilwell, megjithatë londinezët janë më të prirur ta shesin përfundimisht kartonin e futbollistit, që e morën pikërisht nga Roma tre vite më parë.

Emerson Palmeiri ka shkëlqyer me verdhekuqtë në sezonin 2016-2017 dhe do të mirëpriste një rikthim në kryeqytetin italian, ndërsa Mourinho do të kishte kështu një anësor titullar, për t’i dhënë mundësi Spinazzolës të rikuperohet me qetësi.

Top Channel