Foto ilustruese

63-vjeçari nga fshati Bishan i Vlorës, i cili qëlloi me çifte në këmbë motrën e tij, është arrestuar nga autoritetet.

Policia bën me dije se ai e ka plagosur motrën ndërsa vetë ishte nën ndikimin e alkoolit, por fatmirësisht ajo është jashtë rrezikut për jetës.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur në datën 02.07.2021, në fshatin Bishan, Vlorë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ndalimi për veprat penale “Vrasja për shkak të rrethanave familjare”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, i shtetasit S. D., 63 vjeç, banues në fshatin Bishan.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi më datë 02.07.2021, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se nën efektin e alkoolit ka plagosur me armë gjahu (çifte), në pjesën e këmbëve, motrën e tij, shtetasen B. H., 66 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Materialet hetimore në lidhje me këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel