Manastirliu viziton familjen e lënduar rëndë nga shpërthimi në Velipojë: Mjekët po bëjnë maksimumin!

04/07/2021 16:20

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vizituar sot të lënduarit nga ngjarja e rëndë e Velipojës, të cilët po marrin shërbim të specializuar në repartin e Djegie-Plastikës në QSUT.

Gjatë bisedës me stafin mjekësor, Ministrja e Shëndetësisë tha se po bëhet maksimumi për trajtimin e familjes së lënduar rëndë nga shpërthimi në Velipojë, por situata mbetet tejet kritike.

“Mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT, po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjen e lënduar në ngjarjen e rëndë në Velipojë.

Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike” tha Manastirliu.

Prof. Gjergji Belba, shef i shërbimit të Djegie-Plastikës, u shpreh se nëna me tre fëmijët kanë prognozë të rëndë dhe situata është jashtëzakonisht kritike, si pasojë e shkallës së rëndë të djegies që kanë pësuar.

Të lënduar janë pronarja e hotelit Alketa Gjoka 40 vjeç, me 3 fëmijët e saj, Danjela Gjoka 18 vjeç si dhe dy fëmijët e mitur 15 dhe 12 vjeç. Ata kishin mbërritur një natë më parë në hotel për ta përgatitur për ardhjen e turistëve të parë.

Mëngjesin e së dielës, kryefamiljarja ka tentuar të ndezë një prej bombolave të gazit, por ka patur rrjedhje, e cila më pas ka çuar në shpërthimin e saj. Flakët kanë përfshirë dhomën, por edhe të gjithë hotelin duke plagosur rëndë edhe 4 anëtarët e familjes Gjoka të cilët janë transportuar fillimisht për në spitalin e Shkodrës, por më pas për shkak të plagëve të marra janë nisur për në Tiranë.

FOTO GALERI
2/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA