Brazili dhe Peruja janë dy gjysmëfinalistët e parë të Kupës së Amerikës, që po zhvillohet në vendin “karioka”. “Seleçao” kaloi me shumë vështirësi Kilin, teksa luajti thuajse gjatë gjithë pjesës së dytë me një lojtar më pak, ndërsa Peruja eliminoi Paraguain vetëm pas goditjeve të 11-metërshave. Dy skuadrat do të përplasen në orët e para të 6 korrikut për kualifikimin në finale.

Në “Rio de Janeiro”, Brazili, favoriti kryesor për ta fituar Copa American, ndoshta ishte edhe me fat që vijoi më tej. Përballë “La Rojas” jo gjithçka shkoi sikurse pritej. Pjesa e parë u luajt përgjithësisht e qetë, pa raste të pastra shënimi, por gjithçka ndryshoi sapo nisi fraksioni i dytë. Lucas Paqueta, ish-futbollist i Milanit, shfrytëzoi pakujdesinë e mbrojtjes kiliane dhe i vetëm përballë portierit Bravo i dha avantazhin ekipit të tij.

Vetëm dy minuta më vonë, Brazili mbeti me 10 lojtarë, pas një veprimi të papranueshëm të Gabriel Jesus, që u ndëshkua me karton të kuq nga kryesori argjentinas. Në të 62-tën Vargas gjeti golin e barazimit, por për fatin e mirë të brazilianëve ndërhyri sistemi VAR, që e anuloi për pozicion jashtë loje. Në minutat e mbetura, “Seleçao” ia doli ta ruante të paprekur rrjetën, duke siguruar kështu kualifikimin në gjysmëfinale.

Më spektakolar dueli tjetër mes Perusë dhe Paraguait, i zhvilluar në qytetin Goiania, ku pati përmbysje dhe ripërmbysje të rezultatit. Koha e rregullt u mbyll në barazim 3-3. Të parët shënuan paraguaianët me Gomez që në minutën e 11-të, por peruanët përmbysën shifrat me autogolin e autorit të finalizimit të parë të takimit dhe me golin e Lapadulas. Në fundin e pjesës së parë, sërish Gomez bëhet protagonist, por këtë herë me një ndërhyrje të gabuar, duke marrë kartonin e dytë të verdhë.

Në pjesën e dytë edhe pse me një lojtar më pak, Paraguai barazoi me Alonson në minutën e 54-t, por Yotun në të 80-tën, sërish i dha epërsinë Perusë (3-2), por Carrillo 5 minuta para fundit u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, për të ardhur më pas në minutën e fundit të takimit, kur Avalos realizoi golin e barazimit 3-3.

Në goditjet e 11-metërshave, peruanët humbën dy nga gjashtë penallti, ndërsa futbollistët e Paraguait gabuan në tri raste, duke çuar dëm gjithë atë sakrificë të pjesës së dytë, pasi luajtën në inferioritet numerik dhe rikuperuan diferencën e një goli.

Top Channel