Në Kroaci është ende i fortë zhgënjimi për eliminimin në 1/8-at e Europianit nga Spanja. Ish trajneri i kombëtares kroate, Miroslav Blazevic, “i hedh benzinë zjarrit” të polemikave në një intervistë ku shfaqet i bindur se me Lovren dhe Perisic në fushë, ballkanasit nuk do të kishin humbur.

“Nëse do të kishin luajtur Perisic dhe Lovren, spanjollët nuk do të na kishin mundur kurrë. Kurrë, ua siguroj këtë. Ishte një deficit i madh të luanim pa Lovren dhe nuk do të kishim arritur në këtë pikë ku jemi, nëse nuk do të kishte qenë për Perisic”, tha Blazevic.

Perisic në fakt mungoi pasi ishte infektuar me Covid-19, por Blazevic është i pamëshirshëm, në kritikën e tij për futbollistin e Interit, që sipas tij duhet ta kishte menduar më gjatë më para.

“Duhej të vaksinohej. Kur dëgjova që nuk do të ishte, mendova se dikush duhej të përgjigjej dhe të mbajë përgjegjësi. Nuk mund ta besoj që mund të ketë individë kaq primitivë sa të mos vaksinohen. Biri im, duhej të ishe vaksinuar, për të mirën tënde dhe të gjithë shokëve. Duhej! Nuk do ta bësh? Kishin nevojë që dikush t’i kapte për veshi dhe t’i çonte te një infermier për t’i vaksinuar”, tha ish trajneri kroat.

Top Channel