Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shembjen e TK, reagon Veliaj: Boll humbëm kohë me histeri! Të ndërtojmë shtëpinë moderne të Teatrit në Ballkan

02/07/2021 16:59

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi e ka cilësuar të ligjshme shembjen e Teatrit Kombëtar.

Me anë të një postimi në Twitter, Veliaj shkruan se do të ecin para për të ndërtuar Teatrin për të mos humbur kohë.

“Tani të ecim përpara e të ndërtojmë shtëpinë më të madhe e moderne të Teatrit në Ballkan, boll humbëm kohë me histeri, si me cdo projekt të madh!” – shkroi Veliaj.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin special për projektimin dhe realizimin e projektit urban të godinës së re të Teatrit Kombëtar pasi ligji për koncesionin ishte rrëzuar sepse kontrata dështoi dhe qeveria vendosi që ta ndërtojë teatrin e ri me fonde shtetërore.

Ndër të tjera, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dhe vendimin e Këshillit të Ministrave që kalonte tokën e teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës, por e ka quajtur të ligjshëm vendimin për shembjen e teatrit.

Rrëzimi i vendimit për kalimin e pronësisë tek Bashkia e Tiranës e shtyn në kohë ndërtimin e teatrit që pritet ta bëjë Ministria e Kulturës.

Top Channel