Dy ditë më parë, Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar ambasadori Reeker u takua ndër të tjera me kryeministrin Edi Rama, me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me Princ Lekën.
Ai pati dhe një drekë pune me ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka dhe ministrat e Mbrojtjes dhe Drejtësisë.
Ajo që ra në sy gjatë vizitës së zotit Reeker, ishte dhe mungesa e një takimi me presidentin Iir Meta. Për këtë cështje, analisti Ilir Yzeiri ka zbuluar mesazhet e koduara të emisarit amerikan me eliminimin e Metës nga takimet e tij.
Yzeiri: Diplomacia amerikane e përfaqësuar prej Yuri Kim, veçanërisht kohët e fundit ka filluar të tregohet aktive me Shqipërinë dhe të japë të gjitha llojet e mesazheve. Ka filluar gjithashtu të jetë shumë e qartë, por për të qenë e qartë në problematikën që ka evidentuar ne politikën shqiptare, po përdor të gjitha mjetet e gjuhës diplomatike. Nëse ju kujtohet edhe Yuri Kim ka përdorur gjatë fushatës elektorale disa simbolika, eufemizma, linte dicka për të nënkuptuar, por gjithmonë e qartë. Kini parasysh daljen e saj në një televizion një ditë para se të shpallej Sali Berisha “non grata” se çfarë gjuhe përdori ajo, ku pothuajse la të nënkuptohet për aksionet që do të ndërmerreshin nga administrata amerikane.
Reeker vjen në Tiranë dhe përdor të njëjtin stil diplomatik. Nga kjo pikëpamje, eliminimi ose mënjanimi i Ilir Metës nga takimi zyrtar dhe justifikimi që ju bë këtij mënjanimi për shkak të agjendës së ngjeshur ishte një mesazh i qartë për të mos e thënë drejtpërdrejtë qëndrimin, por për të treguar një qëndrim që ata tashmë e kanë marrë ndaj Metës.
Qëndrimi është ai që ka mbajtur Yuri Kim ndaj Ilir Metës, kur ajo e ka kërcënuar atë dhe e ka paralajmëruar që me qëndrimet e tij po i kundërvihet interesave të SHBA në Shqipëri dhe po ndihmon për destabilizimin e vendit. Në këtë rast është përdorur një gjuhë diplomatike.
Dyrnjaja: Kjo lloj mënyre duket se ka prodhuar edhe një efekt tek sovranistët. Ka filluar të ndihet më shumë prezente duke u artikuluar jo vetëm në gjuhën dhe leksikun e Presidentit të Republikës por edhe në qarqe të tjera mediatike, ideja e sovranizmit që nuk jemi shtet vasal, që nuk jemi në urdhrin autoritar të Washington.
Yzeiri: Pikërisht këtë gjë është përpjekur të shmangë zoti Reeker në këtë vizitë se ruajti një profil të ulët. Bëri vizitat e tij jashtë vëmendjes së kamerave, nuk u prononcua asnjëherë publikisht se çfarë ishte biseduar por bëri vetëm një deklaratë zyrtare përmes ambasadës amerikane, gjë që tregoi se ai është një vizitor politik i rëndësishëm por nuk mori skenën qendrore të vendit. Mesazhet e tij ishin të rëndësishme dhe goditën në shenjë se ishin ato që ne presim prej ambasadës amerikane dhe këtij shteti të madh që ka filluar t’i vërë një kufi epokës në Shqipëri. Pra e quajnë 25 prillin si fundin e epokës së tranzicionit të errët shqiptar duke vënë gishtin mbi ata persona që i kanë shkaktuar dëme Shqipërisë. Ky është qëndrimi i SHBA.
Top Channel