Protestuesit anti-koloniale përmbysin statujat e mbretërorëve britanikë pas zbulimit të 1000 vdekjeve të fëmijëve indigjenë në Kanada (fotot)

02/07/2021 15:57

Kryeministri britanik Boris Johnson kritikonte sot veprimet e turmave të zemëruara në Kanada që rrëzuan statujat e mbretëreshës britanike Victoria, asaj aktuale Elizabeth II dhe eksploratorit Kapiten James Cook, gjatë valës së gjerë të zemërimit për vdekjet e mijëra fëmijëve indigjenë që asimiloheshin me forcë nga autoritetet koloniale, me ndihmën e Kishës Katolike.

Në skenat dramatike të ngjashme me protestat anti-racizëm në Britani dhe SHBA pas vdekjes së George Floyd, statujat e bronzta të monarkes aktuale britanike dhe gjyshes së saj u shembën në Winnipeg, u njollosën me të kuqen e simbolit të gjakut dhe u veshën me flamurë aborigjenë Mohawk.

Teksa asnjë oficer policie nuk dukej gjëkundi, protestuesit e veshur me portokalli bënin thirrje për anulimin e festës së “Ditës së Kanadasë” me 1 Korrik, dhe lidhën litarë në kokat e statujave duke i shembur ato.

Ata brohorisnin ‘Jo genocidit’ dhe ‘Rrëzojini ato’, pas zbulimit dje të një varreze të tretë masive të fëmijëve aborigjenë, në shkollat ku supozohej t’u mësohej asimilimi në shoqërinë e re britaniko-evropiane.

Prej fundit të shekullit të 18-të deri në vitet 1970-të, rreth 150,000 fëmijë të popullsive indigjene të Kanadasë u detyruan me forcë të konvertoheshin në fenë katolike dhe nuk lejoheshin të flisnin gjuhën e tyre pasi u vendosën në shkollat konviktore katolike të asimilimit.

Në to rrahjet e abuzimet ishin të kudondodhura dhe 6,000 fëmijë besohet se kanë vdekur. Shkolla të tilla u hapën dhe në SHBA dhe protestat pritet të vijojnë edhe atje, me akuza e pretendime të njëjta nga popullsitë aborigjene amerikane.

Pamjet të pabesueshme tregonin sot rrëzimin spektakolar të statujës së ish-mbretëreshës britanike Victoria në Winnipeg, teksa njerëzit brohorisnin me gëzim në mes të ditës.

1,500 milje në perëndim në të njëjtin stil, u rrëzua statuja e Kapitenit Cook – britaniku i parë që zbriti në rajonin kanadez të British Columbia, e cila u zëvendësua më pas me simbole të kombeve indigjene të vendit.

Një statujë e mbretëreshës Victoria pranë tij u mbulua me bojë të kuqe pasi turma nuk arriti ta rrëzonte.

Gjatë natës së djeshme në Kanada janë djegur ose përdhosur të paktën dhjetë kisha katolike.

FOTO GALERI
4/14
Ato u mbuluan me simbole te popullsise indigjene

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA