Goditja e organizatës së trafikut të drogës, Ambasadorja Kim: Pandëshkueshmëria në Shqipëri po mbaron

02/07/2021 16:26

Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar lidhur me goditjen e organizatës kriminale që merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Operacionin, shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë e cilëson meritë të reformës në drejtësi, ndërsa ka një përgjigje edhe për kritikët.

“Disa pretendojnë, shpresojnë se Reforma në Drejtësi nuk ka prodhuar “asgjë”. E vërteta është se po prodhon gjithnjë e më shumë rezultate që tregojnë se pandëshkueshmëria po mbaron. Shikoni veprimin e madh të sotëm, i cili është vetëm goditja e fundit kundër zyrtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar. https://spak.al/2021/07/02/komunikate-per-shtyp/”, shkruan Kim.

Megaoperacioni i SPAK në bashkëpunim me Antimafian Italiane në 4 shtete, Shqipëri, Itali , Spanjë dhe Mal të Zi zbuloi grupet kriminale dhe zyrtarë të lartë të drejtësisë të përfshirë në krim.

Shefi i Trafikut të Antidrogës, Ilirjan Balla është i përfshirë drejtpërdrejt në trafikun e drogës dhe për të është dhënë masa ”Arrest në shtëpi”.

Nga operacioni në 4 shtete janë sekuestruar mbi 6 ton lëndë narkotike të tipit marijuanë, kokainë e hashash, me vlerë mbi 55 milionë euro, për një sasi totale prej rreth 14 milion dozash që dalin nga shpërndarja me pakicë.

Janë sekuestruar 12 pasuri të paluajtshme si apartamente, troje, restorante, 4 shoqëri tregtare dhe disa automjete, te cilat arrijnë në vlerën e disa miliona euro.

Në vendin tonë sipas drejtorit të Policisë së Shtetit janë sekuestruar edhe 2 dy armë zjarri dhe 60 mijë euro

Pas hetimeve në vendin tonë në qytetet Vlorë, Kavajë, Durrës, Tiranë dhe Skrapar janë arrestuar edhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, Prokurori i Vlorës, Maksim Sota; Festim Lelaj, ish-nënkomisar i policisë së Vlorës; Saimir Kurti, drejtori i Zyrës së Punës në Kavajë.

Gjykata vendosi masën “Arrest me burg” për: Aleks Memaj, Jovan Memaj, Aleksandër Neço, Shkëlzen Kamberi, Benard Tahiraj, Marenglen Çaçi, Erind Hysomemaj, Klajdi Ademi (Hysomemaj), Erion Hoxhara, Çezar Gjomemo, Saimir Kurti, Malton Lleshi, Shkëlzen Daci, Eltjon Bregasi, Paul Deda, Hekuran Marku, Hamid Seferi, Leonidha Sejdiaj, Ilir Gaba, Luan Zylyftari, Geri Zylyftari, Toni Kushi, Erlind Zylyftari, Arta Zylyftari, Festim Lelaj.

Ndërsa masën “Arrest Shtëpie” vendosi për Artur Krasniqin, Ilirjan Balla, Maksim Soton.

Ndër të arrestuarit, Agustin Deda dhe Hekuran Marku në kohën e kryerjes së veprave penale në vitin 2016 ishin me detyrën e prestarëve të grupit te shoqërimit të ish- Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA