“Europa është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor”/ Ruçi uron kryeparlamentarin slloven Zorčič për Presidencën e BE

02/07/2021 14:59

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Igor Zorčič, pasi Sllovenia mori Presidencën e Këshillit Europian.

Në letrën e tij, Ruçi vlerëson programin e Sllovenisë për përballimin e pandemisë së Covid 19, që do të zbatohet gjatë presidencës sllovene.

Me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit Europian, dëshiroj t’ju uroj suksese në përmbushjen e prioriteteve të Sllovenisë, në udhëheqje të Këshillit.
Programi ambicioz i Presidencës Sllovene, ‘Së bashku për Përtëritjen e Europës’, kam bindjen se do të jetë një kontribut i rëndësishëm në rimëkëmbjen pas pasojave të pandemisë së Covid 19, përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e vlerave europiane dhe rritjen e stabilitetit dhe të sigurisë në Bashkimin Europian, kontinentin europian, rajonet përreth si edhe në të gjithë planetin“.

Më tej, kryeparlamentari shprehet se “presidenca Sllovene do të jetë një oportunitet i madh për politikat e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të kontribojë në rritjen e shpejtësive të integrimit të tyre në familjen europiane”.

Europa është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Europian është shpresë për Ballkanin Perëndimor, por edhe Ballkani Perëndimor është një shpresë për Bashkimin Europian. Prandaj, siç edhe diskutuam gjatë Samitit të Dytë të Kryetarëve të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, para pak ditësh, uroj dhe besoj në kontributin dhe vendosmërinë Tuaj që gjatë Presidencës Sllovene të realizohet sa më shpejt edhe mbajtja e Tryezës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë”, shkruan në në letrën e tij Ruçi.

Top Channel