Policia është duke vijuar aksionin për lirimin e hapësirave bregdetare nga zaptuesit jo konform ligjit. Policia njofton se janë proceduar penalisht 4 administratorë subjektesh që kishin zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra të vendosura pa leje.

Po ashtu gjatë këtyre ditëve janë kontrolluar 160 parcela dhe janë hequr rreth 600 çadra dhe 1300 shezlongë.

“Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim  të zaptimit  të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar  nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Durrës, Stacionit të Policisë Plazh dhe të Policisë Bashkiake, kanë vijuar kontrollet dhe verifikimet në territorin e bregdetit të Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve, ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht shtetasit:

I.K., G. A., K. G. dhe D. B., banues në Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën bregdetare Përroi i Agait-Plepa-Ura e Dajlanit u konstatua se këta shtetas kishin zënë hapësirën publike duke vendosur shezlongë dhe çadra pa lejen e organeve kompetente”, njofton policia.

Ndërkohë policia është duke vijuar operacionin “Bregdeti ynë”, i cili deri më tani është duke vijuar pa probleme.

Top Channel