Arrestohen ish shoqëruesit e Tahirit/ Në pranga për shkak të lidhjeve me trafikun ndërkombëtar të drogës

02/07/2021 15:02

Një trafikant kanabisi i punësuar si shofer i prokurorit Maksim Sota, por i zbuluar një vit më parë nga përgjimet italo-shqiptare e dërgoi edhe prokurorin para drejtësisë së bashku me 28 të tjerë. Të përzier me trafikantët janë edhe dy truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilët që prej 2017 nuk janë më në polici.

Por ish oficerët Agustin Deda dhe Hekuran Marku dyshohet se kanë garantuar gjatë kohës që ishin në detyrë dërgimin e ngarkesave të kanabisit drejt brigjeve të Puglias që transportohej me skafe.

Agustin Deda dhe Hekuran Marku akuzohen për trafik narkotikësh, organizatë, pastrim parash dhe kryerje të veprimeve në kuadër të grupit kriminal.

Skuadra e përbashkët e antimafias dhe SPAK zbuloi përmes katër dëshmitarëve të drejtësisë dhe nga çështje të tjera të mëparshme me korrierë droge të arrestuar deri tek shpërndarës në Itali se grupet  kriminale vepruan në fushën e narkotrafikut të kanabisit përgjatë viteve 2014 deri në 2017.

Dy operacione të mëparshme të koduara shefi dhe kulmi dërguan në qelitë italiane gati 70 anëtarë të grupeve kriminale ku përfshiheshin edhe të huaj, ndërsa operacioni “Shpirti” përfshiu edhe polici të tjera veç dy palëve si ajo e Spanjës dhe Malit të Zi.

Në total gjatë këtyre aksioneve, trafikantëve u janë bllokuar 6 tone kanabis dhe produkte droge, teksa paratë e drogës dyshohet se pastrohen në Shqipëri në pasuri të paluajtshme si restorante dhe shtëpi.

Skuadra e përbashkët  njoftoi se vetëm në Shqipëri janë vendosur nën sekuestro 11 pasuri dhe se shumica e të arrestuarve gjenden nën akuzë dhe për pastrim parash.

Top Channel