Ambasadori Italian në Shqipëri, Fabricio Bucci nga Shkodra, në prezencë edhe të kryebashkiakes, Voltana Ademi, ka shprehur keqardhjen për faktin se as kësaj here Shqipërisë nuk iu çelën negociatat me BE-në.

Teksa e ka cilësuar si zhgënjim, ambasadori Bucci ka theksuar edhe një herë faktin se Italia ka qenë dhe do të jetë pranë Shqipërisë, ndërsa shtoi se besimi ynë është që brenda këtij viti do të çelen negociatat.

“Për ne si Itali ishte një zhgënjim fakti që nuk mundëm edhe njëherë tjetër të hapim negociatat. Italia ka qenë përherë pranë Shqipërisë, që nga fillimi. Kemi mbështetur hyrjen e vendit tuaj në unionin europian.

Besoj se jemi gati dhe nuk duhet të dorëzohemi, sepse nuk është më një çështje nëse Shqipëria do të hyjë, por kur do të hyjë, kjo është gjëja më e rëndësishme.

Ne do të vazhdojmë të punojmë, sepse besimi ynë është që brenda këtij viti do të çelen negociatat. Shqipëria i ka bërë detyrat që i kemi lënë vitet e kaluara. Është një problem dhe detyrë e unionit europian, jo më e Shqipërisë”, tha ambasadori.

Më tej ai theksoi se një vend nuk mund që të presë të zgjidhen problemet sepse do të ketë gjithmonë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërpritet rruga për integrime të reja.

Besoj se gjëja më e rëndësishme është të shkohet përpara e të hapen negociatat. Ky është prioriteti ynë. Nuk mundemi çdo herë të presim që të zgjidhen probleme, sepse do të ketë gjithmonë të tilla. Duhet të ecim përpara, nuk ka më vend për shfajësime. BE duhet të japë një sinjal të fortë, të hapen negociatat më Shqipërinë.

Sepse në vitet e fundit, kërkesat e dy vendeve kanë shkuar bashkë. Është diçka e lidhur me procedurat që janë komplekse, e që parashikojnë çeljen e negociatave. Procedurat janë të rëndësishme, por vullneti politik është më i rëndësishëm dhe është koha që BE të japë një sinjal të fortë për këto vende, e në mënyrë të veçantë për Shqipërinë”, deklaroi ambasadori Bucci.

Ndërsa sa i përket Reformës në Drejtësi ai tha: “Reforma në drejtësi është si një kantier, kantier i hapur. Po punojmë të gjithë. Është e rëndësishme, e thellë që kërkon kohë si reformë. Ne si Itali jemi pranë Shqipërisë në këtë sfidë të reformës. Mbështesim qeverinë me ekspertët, kemi magjistratët italian, kontribuojmë financiarisht dhe bashkëpunojmë me BE dhe SHBA.

Është një reformë thelbësore, pasi pa një drejtësi të fortë e që funksionon do të jetë e vështirë të luftojmë krimin e organizuar, trafikun, korrupsionin. Duhet të kemi të gjitha instrumentet për t’i luftuar. Prandaj ne mbështesim përpjekjet e qeverisë dhe të gjithëve, sepse në krahasim me vitet e mëparshme, apo kur nisi reforma në 2016, janë bërë hapa të rëndësishëm, por nuk mjaftojnë, duhet bërë më shumë përpara. Të kesh një drejtësi rezultative që funksionon është në interes të të gjithë shqiptarëve, edhe vetë forcave politike, maxhorancës apo opozitës. Apeli im është që të punojmë të gjithë bashkë, sepse kur punohet bashkë dhe ka kohezion politik, reformat mund të avancojnë shumë më shpejt”.

Top Channel