Kjo verë me sa duket do të jetë trazuar për Kylian Mbappénë. Pas gabimit nga pika e bardhë e penalltisë kundër Zvicrës, që e detyroi Francën t’i thoshte lamtumirë Kampionatit Europian para kohe, po flitet gjithnjë e më shumë për të ardhmen e ish-sulmuesit të Monacos.

Sipas prestigjiozes franceze L’Equipe, 22-vjeçari tashmë e ka bërë zgjedhjen e tij: nuk do të rinovojë me PSG, pasi dëshiron me çdo kusht Realin. Sulmuesi, megjithatë, nuk do të largohet këtë verë nga parizienët, pasi dëshiron ta respektojë kontratën, për t’u larguar pas një viti me parametër zero.

Nga ana tjetër, po sipas L’Équipe, klubi i kryeqytetit francez vazhdon të punojë për ta bindur lojtarin të qëndrojë, por vullneti i lojtarit të lindur në vitin 1998 është i palëkundur.

Burimet franceze zbuluan se drejtuesit e “Los Blancos” ditët e fundit kanë kërkuar informacion mbi Mbappé gjatë negociatave për një lojtar tjetër, duke marrë një jo të thatë nga PSG: “Mbappé nuk është për shitje”, ka qenë përgjigjja e drejtuesve parizienë. Sezoni veror për Mbappénë po bëhet gjithnjë e më i nxehtë.

Top Channel