“Keni një trashëgimi”/ Policia zbardh grabitjen e 100 mijë eurove. Në pranga një shqiptare

01/07/2021 15:28

Një 30 vjeçare në Tiranë u arrestua pasi mashtroi persona të ndryshëm  me ndihmën e shtetasve të huaj duke u zhvatur 100 mijë euro përmes pretendimit të rremë se ishin trashëgimtarë të një pasurie.  Policia nisi hetimet pas kallëzimit nga një bankë e nivelit të dytë.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike zbuloi se këta persona po kryenin vjedhje nëpërmjet internetit, pasi  30 vjeçarja e arrestuar  u jepte të huajve llogarinë e saj bankare, me qëllim mashtrimin e shtetasve shqiptarë në internet. Për këtë qëllim,ajo u ka dërguar dhe kartën e saj bankare, së bashku me kodin përkatës, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim tërheqjen e këtyre shumave monetare nga këta shtetas në këmbim të 10 për qind të shumës së zhvatur.

Nuk dihet ende se kush janë të huajt që zbatonin skemën kriminale.  Njësia e Hetimit Kibernetik u bën thirrje qytetarëve  të ruhen nga “Mashtrimi i trashëgimisë”  kur dikush ju kontakton me e-mail  apo rrjete sociale ose me letër dhe ju thotë se ju jeni trashëgimtar i një njeriu të pasur që nuk jeton më apo se ka rënë viktimë e një incidenti dhe i duhen para.

Njësia e Hetimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ju kërkon ta denonconi menjëherë. Kini kujdes nëse ju kërkohet të kontaktoni një adresë të postës elektronike si @Yahoo, @Hotmail apo të tjera të ngjashme. Si rregull, firmat e ligjshme nuk i përdorin ato.

Top Channel