Në ditën e dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të paligjshme, policia e Fierit ka vijuar punën në bregdetin e Pishë-Poros.

Pas kontrollit për lejen e ushtrimit të aktivitetit, është gjetur një numër i vogël subjektesh që nuk e dispononin atë, të cilëve u janë hequr shezlonget dhe çadrat.

Kontrolli i bregdetit te Pishe-Poros vjen pas atij te zhvilluar ditën e djeshme ne Seman dhe Darëzezë ku u evidentuan 13 subjekte pa leje, 8 në Seman dhe 5 në Darëzezë, ku janë hequr 799 shezlongë dhe 398 çadra.

Gjatë aksionit të këtyre dy ditëve, tregëtarët e konsideruar të paligjshëm nuk kanë patur kundërshtime për heqjen e çadrave dhe shezlongëve përgjatë vijës bregdetare.

Aksioni përgjatë 22 km vijë bregdetare që ka Fieri, po kryhet nga një Task-Forcë e veçantë në përbërje të së cilës janë 2 grupe FNSH, shërbime të Komisariatit të Policisë Fier, Policia Bashkiake, Inspektorati i Territorit të kontrollit dhe zyra e Tatimeve të bashkisë Fier. Operacioni do vijojë edhe në ditët në vazhdim për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme.

Top Channel