Pas aksidenteve të rënda që kanë marrë jetë njerëzish ditët e fundit, policia rrugore ka zbritur në terren me forca të shtuara.
Rrugorja në të gjithë vendin ka përdorur radarë, dragera, dronë, kamera, aparate fotografike dhe automjete të paloguara, evidentohen dhe ndëshkohen mijëra shkelës të Kodit Rrugor.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, janë pezulluar 74 leje drejtimi dhe janë ndëshkuar me masë administrative 3037 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor, të cilat përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Policia raporton se konkretisht janë pezulluar 54 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara.
Shpejtësia më e madhe e matur me radar është konstatuar në rrugën interurbane tuneli i Kërrabës-Elbasan, ku automjeti i drejtuar nga 21 vjeçari R. B., nga Elbasani, u konstatua me 209 km/orë. Gjithashtu janë pezulluar 20 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
Po ashtu janë arrestuar në kushtet e flagrancës 11 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti dhe motomjeti pa leje drejtimi.
Gjithashtu janë vendosur 503 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 402 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 745 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 231 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 912 masa për parakalime të gabuara, 212 masa për mos ruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve dhe 32 masa për shkelje të semaforit.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.
Top Channel