Aksidentet rrugore kanë qenë me pasoja fatale gjatë ditëve të fundit, sidomos ngjarja në autostradën Fier-Vlorë ku u shua një familje me 4 anëtarë.

Gazetari Bledi Mane ka folur në “Top Talk” për  personat që ecin me shpejtësi të frikshme në rrugë duke thënë se janë njerëz me probleme psiko-sociale. Sipas tij, shoqëria ka probleme dhe duhen bërë analiza dhe studime për të mësuar cilët janë shkaktarët.

Sa i përket personave që e konsiderojnë shpejtësinë si adrenalinë, i sugjeron që të shkojnë në lojëra me makina dhe të shfryhen për 10-20 minuta për të mos shkaktuar aksidente tragjike në rrugë që marrin jetë njerëzish.

Bledi Mane: Duhet kërkuar defekti tek vetja. Po të shohësh me vëmendje se si ngitet makina në këtë vend, tregon se diçka nuk shkon me gjendjen mendore psikike të drejtuesit. Kjo do të thotë se është një lloj mutacioni, kudo në botë. Nëse mbushesh me adrenalinën e shpejtësisë, gjë që gjithkush e ndjen, është njësoj si ngritja e aeroplanit apo ashensorit, shko kërko hapjen e kartodromit, shfryhu 10-20 minuta dhe tek e fundit, do të përplasesh me barrierat mbrojtëse dhe do shpëtosh.

Por në një rrugë kombëtare, me një familje që ka ardhur për të pushuar duke respektuar korsinë e vet, duke respektuar shpejtësinë dhe ti shkon e godet me atë shpejtësi skëterrë në mëngjes herët tregon se diçka nuk shkon. Pas asaj ngjarje, patëm dhe aksidente të tjera me vdekje. Pra ndërgjegjësimi është zero.  Zinxhiri i qarkullimit rrugor duhet të kishte dhënë dorëheqje edhe në shenjë solidarizimi. Edhe në autoshkolla vendos lëndë të posaçme psikologjike. Çfarë më shqetëson është se nuk u shkojmë në thellësi shkaqeve përse ndodhin.Gjendja psikologjike mendore, vapa, kushtet atmosferike të gjitha ndikojnë. Nuk kemi bërë një studim të mirëfilltë, nuk kemi analizuar me detaje shkaktarët.

Top Channel