Aksidentet rrugore kanë qenë me pasoja fatale gjatë ditëve të fundit, sidomos ngjarja në autostradën Fier-Vlorë ku u shua një familje me 4 anëtarë. Ish drejtuesi i lartë në policinë rrugore, Mitat Tola ka folur në “Top Talk” për rregullat e qarkullimit rrugor dhe për statistikat me vitet e shkuara.
Tola tha se projekti i radarëve që i jep fund epokës së shkeljes së gazit në rrugë duke shkaktuar aksidente tragjike kushton mbi 20 milionë euro. Sipas Tolës, vetëm faturat që mbërrijnë në shtëpi do të detyrojnë shoferët që të vendosin këmbën në frena dhe të mos tejkalojnë limitin e shpejtësisë.
“Nuk e bëjmë dot këtë gjë sepse mungojnë financimet. Një sistem i tillë kushton miliona euro. Një sistem tërësor kushton mbi 20 milionë euro. Ky sistem mat shpejtësitë mesatare, shpejtësitë e çastit. Unë që e njoh sistemin së brendshmi, financimet në Policinë Rrugore nuk kanë qenë aty ku duhet. Unë do të kisha qenë shumë i lumtur sepse duke patur sisteme automatike, rrugë interurbane të mbyllura, mjafton vendosja e sistemit dhe faturat që të vijnë në shtëpi të detyrojnë që të vendosësh këmbët në frena”, tha Tola.
Top Channel