Vaksinimi i hapur +18 vjeç, Rama: Paraqituni me kartë ID në pikën më të afërt, qendrat hapur deri në orën 20:00

29/06/2021 18:18

Sot dhe nesër, janë dy ditët e hapura për qytetarët mbi 18 vjeç që duan të vaksinohen.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, përmes një postimi në ‘Facebook’ shkruan se ky proces vaksinimi po ecën me ritme shumë të mira.

Teksa ka ndarë foto nga procesi i vaksinimit ditën e sotme në disa qytete të vendit, Rama rikujton se stafet mjekësore do të jenë në shërbim deri në orën 20:00 në qendrat e vaksinimit.

Kryeministri u bën thirrje qytetarëve të paraqiten me kartë identiteti në pikën më të afërt të vaksinimit.

Kryeministri Rama postim ne Facebook:

Vaksinimi i hapur +18 vjeç po ecën me ritme shumë të mira në të gjithë vendin, teksa stafet mjekësore do të jenë në shërbim deri në orën 20:00 në qendrat e vaksinimit

Paraqitu me kartë identiteti në pikën më të afërt të vaksinimit.
#MbroShëndetin
***Vaksinimi në Tiranë, Shkodër, Fier, Durrës, Korçë, Mallakastër, Pukë, Bulqizë, Kukës.
#ShqipëriaBuzëqesh
#SkaKohëPërPushim

Më herët, Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino u shpreh se vaksinimi i moshave më të reja është i rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit dhe shmangien e shpërthimeve epidemike të mundshme të variantit të ri Delta.

Për dy ditët e martë, e mërkurë, kanë prenotuar afro 25 mijë persona në e -albania.

Gjatë gjithë procesit të vaksinimit në Shqipëri nuk është lejuar përzgjedhja e llojit të vaksinës. Edhe pse kishin prenotuar për tu vaksinuar ka pasur të rinj të cilët kur kanë mësuar se vaksina që përdorej ishte coronavac, kanë refuzuar ta bëjnë.

Ditë të hapura të vaksinimit përveç kësaj të martë dhe të mërkurës do të bëhen edhe herë të tjera për të bërë të mundur që përveç fashës moshore që është planifikuar të vaksinohen edhe persona të tjerë përtej kësaj moshë në mënyrë që të krijohet mbrojtje ndaj mutacionit delta apo tjera që mund të vijnë.

FOTO GALERI
2/11

Top Channel