Përplasi të renë dhe e la me një këmbë/ Prokuroria kërkon ndryshimin e masës për Jehon Breçanin

29/06/2021 12:10

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Gjykatës ndryshimin e masës nga “Arrest në shtëpi” në “Arrest me burg” për Jehon Breçanin, të riun që përplasi 24-vjeçaren më 10 qershor në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.

Mjekët u detyruan që t’i prisnin njërën këmbë Xhesina Gegës pas dëmtimeve që mori në gjymtyrët e poshtme.

19-vjeçari, djali i Erzen Breçanit, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit po drejtonte makinën luksoze tip “Benz S Class”. Ai hipi në trotuar u përplas me një pemë dhe më pas edhe këmbësoren.

Në bazë të hetimeve, ai nuk kishte konsumuar pije alkoolike dhe po qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara.

Pas kërkesës së tij, Gjykata i ndryshoi masën nga “Arrest me burg” në “Arrest në shtëpi” për shkak të dëmtimeve që kishte marrë dhe ai nga përplasja.

Prokuroria e konsideron jo të drejtë lehtësimin e masës  dhe në mospërputhje me kriteret ligjore duke numëruar edhe faktet.

1. Prokuroria thekson se e reja në momentin që është dëmtuar është dërguar në spitalin e Traumës me dëmtime të një shkalle të lartë dhe aktualisht ajo ka gjymtim të përhershëm në masën 1/3 të aftësisë së përgjithshme.

2. Ai nuk ka zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor.

3. Pavarësisht rrethanave të gjendjes së tij shëndetësore, ato nuk ndikojnë në ndryshimin e masës.

4. Vepra e tij penale ka rrezikshmëri të lartë dhe parashikohet burgim nga 1 deri në 5 vite.

5. Kjo vepër penale është e përhapur në vendin tonë dhe pasoja e mundshme është e rëndë.

Prokurorja Denisa Asko shprehet se bazuar në rrezikshmërinë shoqërore dhe faktet e sipërpërmendura duhej të vendosej masa “Arrest me burg” për Jehon Breçanin.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA