Fitoi jetën që donte por pësoi aksidentin e rëndë/ Irakeni i famshëm rrëfen historinë e trishtë: Jetova në spital për 4 vite, më braktisën të gjithë… Zbulon pse u nda nga shqiptarja

29/06/2021 18:13

Sammet Qassem, është irakeni që i shpëton luftës por përfundoi në karrige me rrota prej një aksidenti në Hollandë. Ai është bërë i njohur në rrjete sociale për shkak të kërcimeve të tij, ndërsa aktualisht është pronar i një agjensie imobilare.

Në emisionin “Ftesë në 5”, Qassem rrëfeu historinë e trishtë të jetës, emigrimin nga Iraku, qëndrimin pas hekurave dhe më pas aksidentin nga i cili jetoi 4 vite në spital. Nga kjo mësoi që të kishte vetëm 2 miq në këtë jetë ndërsa familja vijon të jetë prioritet për të.

Sammet Qassem: Që 17 vjeç u largova nga shtëpia, isha i vetmuar dhe luftova çdo ditë sepse doja të shpëtoja jetën time. Doja të jetoja dhe të kisha një jetë normale, shkova në Siri, nga aty mora pasaportë false dhe shkova në Suedi. Atje punoja në të zezë, jetoja rrugëve, punoja për të ndihmuar familjen time në Irak. Isha emigrant i paligjshëm për 9 vjet në Suedi. Atje më kapën policët dhe më kthyen në Irak, ku ishte një fillim i vështirë. Nuk mund të jetoja më në Irak, prandaj duhet të përpiqesha të shkoja në Amerikë. Më kapën sërish dhe më futën në burg sepse kisha pasaportë false.

Për 7 muaj qëndrova në burg dhe më pas më dhanë dokumentet në Hollandë për të nisur një jetë të re. Isha shumë i lumtur dhe pas këtij casti, vetëm 2-3 muaj më vonë pësova aksidentin me makinë. Ishim në një festë, ishte 9 e mëngjesit, ishim 4 djem dhe një vajzë. Ajo po i jepte makinës dhe e zuri gjumi në autostradë. Kur u zgjova, pashë veten të ngecur në makinë, nuk mund të merrja frymë, më ishte thyer kurrizi, qafa, krahu.

Të tjerët ishin shumë mirë. Të gjithë më braktisën në spital. Edhe e dashura ime më la sepse do të lëvizja me karrocë. Jetova për 4 vite në spital. U përpoqa të kryeja vetëvrasje. Po kaloja kohë të vështirë se isha i vetmuar, duhet të gjeja një mënyrë për të fituar. Çdo ditë kam një ëndërr të re, dua ta realizoj atë. Jam në një karrocë, por mund të flas, duart e mia lëvizin. Jetova për t’ia dalë, duhet të fitoj patjetër. Ka kaq shumë energji brenda meje sa kur ndodh diçka negative them qetësohu.

Sa i përket Shqipërisë, tregoi se ka pasur një histori dashurie me një vajzë shqiptare, e cila i ka mësuar shumë rreth vendit. Romanca mes tyre mori fund për shkak të xhelozisë së tepruar.

Sammet Qassem: Më pëlqen shumë Shqipëria, kam shumë miq. Ish-i im ka qenë nga Shqipëria. Kam pasur një të dashur më parë nga Shqipëria dhe më tregoi shumë gjëra, kam takuar shumë shqiptarë dhe më pëlqejnë shumë njerëz.

Ajo filloi të bëhet xheloze dhe nuk kishte asgjë që mund të bëja, ishte shumë xheloze si person dhe u ndamë.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel