Erdhën në Shqipëri për pushime, por anëtarët e një familjeje humbën jetën tragjikisht në një aksident rrugor në aksin Fier-Vlorë.
Eduart dhe Silvana Gushi, 44 dhe 33 vjeçe dhe dy vajzat e mitura, Anastasia dhe Eva Gushi, humbën jetën nga goditja fatale e Audit të zi, ku ndodheshin tre të rinj. Ditën e sotme, në qytetin e Fierit është zhvilluar një protestë homazh për pasigurinë e jetës të secilit që del në rrugë.
Familjarët kanë marrë ditarin e një prej vajzave, Anastasias, e cila rrëfente se sa e lumtur ishte që do të vinte në Shqipëri. Ajo filloi të shkruante që një muaj para se ishte e lumtur që do të bënte pushime në Shqipëri dhe do të takonte njerëzit e saj të dashur.
Anastasia shkruan më 15 qershor: “Sapo filloi behari dhe për një muaj do vemi në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që do takoj nënën, gjyshin, tezen. Dua që kur të vete në Shqipëri, të dal dhe të blej shumë gjëra. Dua të vete në shumë vende që nuk kam vajtur dhe të blej shumë gjëra. Po nuk vajtëm, se di, por babi do na blejë tabletë të dyjave. Bëj shaka, dua shumë të vete, por dua shumë të marr dhe tabletin se s’bëj dot mësimet. Dua të shikoj një video për mësimet ose të bëj test online, nuk e bëj dot. Sot vajtëm nga parku dhe lozëm, u kënaqa. Por jam shumë e mërzitur dhe nuk e di pse. Tani po rri dhe babi do iki në punë.”
Ndërsa një ditë tjetër, Anastasia tregon se ka marrë rezultatin e mësimeve në shkollë dhe premton se do të mësojë më shumë sezonin e ardhshëm…
“Kanë mbetur dhe 15 ditë për të ikur në Shqipëri. Jam shumë e lumtur. Do vemi në Shqipëri, atje do kënaqemi. Jam e lumtur dhe do të jem shumë e lumtur. Dua të them se e nxora mesataren këtë vit 16, por vitin tjetër të premtoj se do ta nxjerr më shumë, të premtoj, të jap llafin.”
Ndërsa tre ditë para aksidentit tragjik, Anastasia tregon se i ati kishte pësuar aksident në punë dhe nëna kishte nxituar që të shkonte në spital së bashku me të.
“Është ora 23:06 e mbrëmjes dhe mami iku me babin në spital. Babit i kishte rënë të fikët në punë. Jam shumë e shqetësuar për të. Erdhi babi, është mirë, bëri një gjilpërë dhe erdhi. I dhemb mesi, do marrë leje për tre ditë. Pas 3 ditësh, do shkojmë në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që babi është mirë.”
Top Channel