I jepet lamtumira Musaen Zenelit/ Myftiu i Shkodrës: Po shpëton nga statuset në FB të atyre që po e shkatërrojnë këtë vend e që sot “qajnë” për ty

28/06/2021 14:26

Sot u zhvillua ceremonia mortore e 19-vjeçarit Musaen Zeneli, i cili humbi jetën gjatë përplasjes me familjeve Gocaj e Ferracaku në Velipojë për ndarjen e disa shezlloneve.

Krejt i pafajshëm, i riu u gjend fatkeqësisht në momentin e gabuar e në vendin e gabuar. Ai sapo kishte mbyllur ditën e parë të punës, por plumbat e sherrit mes dy familjeve  i morën jetën.

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili mori pjesë në xhenazen e të riut jetim tha se se njeriu ka ardhur në këtë botë për ta jetuar jetën e tij të përkohëshme me besim e dinjitet, për të ndërtuar e zhvilluar të mirën, jo për ta konsideruar atë si mallin më të lirë e të pavlerë!

“Allahu të mëshiroftë, djali ynë, që po largohesh nga kjo botë, duke shpëtuar nga propaganda e mjerimi, nga statuset në fb të atyre që po e shkatërrojnë këtë vend e që sot “qajnë” për ty; nga statuset populiste e të pavlera, që vlerësohen më shumë se zemra e djegur e nënës tënde, që nuk do të gjejë më rehati, sa të ketë jetë!”, tha ai.

“Allahu të mëshiroftë e të pranoftë me butësinë e faljen e Tij, e ne na udhëzoftë se shumë larg kemi devijuar rrugën!”, – tha ndër të tjera në fjalën e tij para faljes së namazit të xhenazes, që u dëshmua nga besimtarë të shumtë, imamë e drejtues të shoqatave bamirëse.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel