“Gjyqtarët KÇK të reflektojnë”/ Çuçi: Brenda javës nis ndryshim i thellë me drejtuesit e policisë

28/06/2021 11:40

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ndërsa ka reaguar në lidhje me ngjarjet kriminale në vend, ku në vetëm pak kohë, kanë gjetur vdekjen 8 persona, tha se përtej të metave që ka Policia e Shtetit, fajtorë për situatën janë prokuroritë dhe gjykatat e rretheve.

Ndërsa foli me emra tha se gjyqtarët kanë dhënë masa të reja për persona me precedentë të rrezikshëm penalë.

“Të marr një shembull nga muaji i fundit. Ne kemi shtrënguar masat për armëmbajtje pa leje. Në disa qytete janë ndaluar tri shtetas me precedent të rëndë penal, madje në një rast, arma e zjarrit kishte dhe fishekë në fole gati për qitje, fatkeqësisht gjyqtarë e prokurorë si Edlira Tufi në Shkodër, Albert Piro Vlorë, Gjyqtari Piro Sota Fier kanë dhënë masat lehtësuese megjithëse minimumi për këto vepra është 3 vite, për armë mbajtje pa leje.

Vendimet e gjykatësve të tjerë për plagosjen e disa personave janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit. Duhet një reagim të shpejtë të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Këto janë shembuj ulëritës, të asaj, që si duhet të jetë forca e ligjit. Skandaloze ka qenë dhe marrja e zonave të plazheve. Tani ka rregull për këtë ndarje. Policia e Shtetit nuk ndan parcela plazhesh, por vetëm zbaton ligjin.”.

Çuçi paralajmëroi ndryshime në nivel të lartë drejtues në Policinë e Shtetit.

“Përsëris, kjo s’do të thotë Policia e Shtetit s’ka dobësi dhe të meta, po përgatitemi për një fazë të re të reformës. Brenda javës do të nisë një ndryshim i thellë me drejtuesit në nivel qarku, ku do të nisë më pas dhe me drejtoreve në çdo qytet të Shqipërisë. Nga ana tjetër, do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e policisë rrugore me kamera.

Më lejoni të përfundoj që ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e kohës dhe shumë shpejt të gjithë do e prekin ndryshimin e mëtejshëm për të mirën e Policisë së Shtetit”, tha Çuçi.

Top Channel