Çuçi: Si e nxori nga qelia, Gjykata kriminelin që ishte gati ‘për të vrarë’

28/06/2021 12:02

Në një deklaratë për mediat, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, duke iu referuar statistikave, tha se 6 mujori i parë i 2021-it ka qenë me më pak vdekje krahasuar me 5 vite më parë.

Çuçi tha se legjislacioni shqiptar është mjaft i mirë, me sanksione të rënda ndaj shkelësve të ligjit, por në këtë rast sipas tij, mungon ekzekutimi i tyre.

“Legjislacioni shqiptar është nga më të fortat në këtë drejtim, sa i takon ashpërsisë së aksidenteve. Problem është zbatimi i ligjit. Përmenda emra konkretë. Pa diskutim që ndjeshmëria më e madhe e shqiptarëve sot është kjo gjë. A zbatohet ligji, a dënohen ato që e dhunojnë ligjin dhe duhet të jemi transparentë, llogarinë e kemi me shqiptarët. Unë jam deputet, ministër, në këtë kuadër ne jemi ato që ballafaqohemi me njerëzit, dua të jem i drejtpërdrejt me njerëzit që ata ta kuptojnë se nga buron kjo gjë. Ku Policia e Shtetit kap në flagrancë një person me plumb në fole gati për qitje dhe trupa gjykuese vendos që ai të shkojë në shtëpi, edhe ata duhet të dalin dhe të sqarojnë popullin.

Ka prokurorë dhe gjykatës që s’e kanë kaluar VETINGUN, pikërisht anëtarë të organizatës KCK janë ata që se kanë kaluar VETINGUN. Në raste flagrante i gjejmë te ky grup. Sa i takon detyrimeve të mira si ministër, unë do e zbatoj vendimin e gjykatës, pa më të voglën hezitim. Por duhet të bëjnë ankimet te drejtësia e re dhe ILD. Ne kemi bërë ankesa më përpara, ju jap dhe shkresën po të doni. Do të ketë ndryshime në nivel drejtues te Policia e Shtetit. Sepse nëse procesi gjyqësor nuk ka një organ epror për të zhbërë vendimet, policia është një piramidë, ku e ka të qartë hierarkinë. Kur unë shoh një polici që shkel rregullat, s’bëj hetim, e heq nga puna direkte.

Ndërsa për gjyqtarin, nuk ka një organ që thotë ky vendim nuk bëhet. Në këtë pikëpamje mendoj që përveç nivelit të lartë drejtues që e kam shprehur edhe në Kuvend, ajo që duhet të bëjmë sa i përket Vetingut, ajo duhet bërë për drejtuesit e lartë të policisë, kjo është qasja ime. Vetingu është një proces i vazhdueshëm.

Unë nuk thashë që përgjithësia është vetëm e gjyqësorit. Sidomos, për krime banale si ajo që ndodhi në Velipojë, përgjegjësia është më e gjerë. Thashë padiskutim që është përgjegjësi e policisë. Unë nxora nga protokolli im rastin më të fundit, me lidhje me një çështje që ka dalë në opinionin publik dhe është armëmbajtja pa leje. Unë në këtë rast sqarova vetëm pozicionin e policisë së shtetit, nuk e bën e vetme Policia e Shtetit, çarmatosjen e armëve të dala nga 97-a. Gjyqësori ka një rol të rëndësishëm në këtë momente. Nëse pyet shqiptarët sot, nëse një kriminel kapet në rrugë me 6 plumba dhe 1 në fole. Kodi Penal thotë që minimumi dënohet me 3 vite, maksimumi 7. Po të pyesësh shqiptarët do të thotë të dënohet me 7 vite. Kjo është perceptim që duhet të reflektojë dhe Gjyqësori. Si e çon këtë njeri në shtëpi të rri rehati, kur ndërkohë ka qenë gati për të vrarë dikë. Prandaj ka shumë rëndësi të funksionojnë të gjitha hallkat” u shpreh Çuçi.

Top Channel