8 vdekje, Çuçi shfajëson policinë/ Ministri akuzon drejtësinë. Lajmëron reformën në polici

28/06/2021 15:13

“Policia e Shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve”.

Ky ishte qëndrimi mistrit të brendshëm Bledi Cuci, për dy ngjarjet e fundit me 8 viktima duke kërkuar reflektim e jo përgjegjësi nga Policia e Shtetit. Për ngjarjen e Velipojës, ministri Cuci zhveshi nga përgjegjësitë policinë e shtetit kur tha:

“Jo më pak skandaloze ka qenë edhe gjendja me marrjen në administrim të plazheve: Tanimë ka rregull e procedura transparente në ndarjen e tyre përmes shërbimit nga platforma e-Albania. Policia e Shtetit nuk ndan parcela plazhesh për administrim, po vetëm zbaton ligjin për mosprekjen e hapësirave të plazheve publike të cilat janë rikthyer njësoj si edhe mbrojtja policore ndaj ndërtimeve pa leje, pas dekadash xhungëlizimi të zonës bregdetare”.

Njësoj si paraardhësit e tij Ministri Cuci e shikon problemin e rritjes së kriminalitetit, tek prokurorët dhe gjykatat.

“Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje. Por fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie”.

Brenda kësaj jave tha ministri Çuci, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të policisë së shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat.

Top Channel