Piknik mes fazanëve/ Një pyll pranë Maliqit, destinacion për vizitorët në kërkim të freskisë

27/06/2021 20:29

Pylli i fazanëve në Maliq mbetet një prej destinacioneve më të frekuentuara gjatë verës.

Janë të shumtë ata që për t’iu larguar vapës kanë zgjedhur këtë destinacion të gjelbër për të organizuar piknik me familjen dhe shoqërinë e për tu argëtuar.

Në hyrje të pyllit atraksioni i parë mbeten kafshët dhe shpendët që tërheqin vëmendjen e fëmijëve ndërsa gjelbërimi ofron freskinë dhe çlodhjen për të gjitha grupmoshat çka ka bërë që numri i frekuentuesve që zgjedhin të bëjnë piknik në natyre të rritet vit pas viti.

Interesi i lartë ka bërë që bashkia e Maliqit të shtojë vëmendjen drejt kësaj hapësirë dhe përveç investimeve të planifikojë edhe aktivitete gjatë verës me synimin që të tërheqë sa më shumë njerëz.

Pylli i fazanëve” ndodhet vetëm 10 km larg Korçës dhe 2 km larg Qytezës së Maliqit.  Këtë emër e mban që në vitet ’60-e, kur nga kënetë, u kthye në një zonat më të gjelbëruara e të populluara nga shumë lloje të veçanta shpendësh ndërsa fazani u kthye në simbolin e tij duke i dhënë edhe emrin.

Top Channel