Festivali Evropian i Filmit Arkeologjik po vijon rrugëtimin e tij në arenën e Amfiteatrit Antik të Durrësit, një sit i trashëgimisë kulturore botërore.
Pas shfaqjes së filmave dokumentarë “Enigma e Kerosit”, “Rihapja e Koloseut” dhe Sekretet e perandorive antike, thellë në Detin e Zi, mbrëmja e së premtes rezervoi filmin “Agalma” mbi jetën në Muzeun Arkeologjik të Napolit dhe më pas “Edhe jeta është art-Rasti Max Emden”. një film që përmes dëshmive historike rrëfen ngritjen dhe shkatërrimin e një familje izraelite nga regjimi nazist.
Mbrëmja e së shtunës do të ofrojë dy filma të tjerë, po aq interesant në Amfiteatër. Në 55 minuta dokumentar shikuesit do të njihen me “Inxhinierinë romake: Minierat” dhe më pas me “Republikën Çeke- Siti i madh arkeologjik”.
Gjatë këtij festivali, që mbyllet më 30 qershor në parkun e Apolonisë, regjisorët dhe kamera e tyre të çon në site të njohura e të panjohura të Evropës, duke treguar bukurinë e pasurisë arkeologjike që kemi trashëguar dhe historitë e tyre misterioze, ndërsa ndërgjegjësojnë për rëndësinë e madhe të ruajtjes së kulturave dhe trashëgimive tona, aq të ngjashme dhe të ndryshme mes tyre.
Edhe kjo mbrëmje do të jetë një mundësi e rrallë për të shijuar në Amfiteatër një natë të veçantë kushtuar arkeologjisë dhe ndikimit të saj në jetën tonë.
Top Channel