Politikania franko-kolumbiane Ingrid Betancourt e kthyer në simbol të rrëmbimit është përballur me pengmarrësit 13 vite më vonë.
Ajo u shpëtua nga duart e guerilasve të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, të cilët e mbajtën peng për më shumë se 6 vite në xhungël.
Betancourt dhe viktimat e tjera morën pjesë në takimin e Marrëveshjes së Paqes të Kolumbisë e cila i dha fund dekadave të luftës civile midis qeverisë dhe grupeve të armatosura.
“Kam dëgjuar me emocione historitë e vëllezërve të mi, por duhet të rrëfej se jam e befasuar që ne në këtë anë të skenës po qajmë të gjithë dhe në anën tjetër nuk ka pasur asnjë lot të vetëm. Për sa kohë që makthi ynë është vetëm i yni ne jemi ende shumë larg nga të qenit në gjendje t’i shpjegojmë Kolumbisë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”, tha ajo.
Betancourt u rrëmbye në vitin 2002 ndërsa po bënte fushatë për presidencën e Kolumbisë dhe u shpëtua në një operacion ushtarak në vitin 2008.
Gjatë luftës së tyre guerilsat rrëmbyen njerëz për shpërblim ose koncesione.
Komandanti i fundit i tyre, Rodrigo Londono, i njohur si Timochenko, u kërkoi falje viktimave.
“Për ata që nuk u kthyen më nga rrëmbimi, për ata që humbën jetën në duart tona, për ata që ishin pranë tyre që janë ngarkuar për vite me radhë nga mungesa e tyre, ne lutemi që të na falin”, tha ai në tubim.
Disa disidentë që i kthyen shpinën procesit të paqes janë ende duke luftuar në xhunglën e Kolumbisë.
Pas marrëveshjes së paqes, Kolumbia krijoi gjykatën, Juridiksioni Special i Paqes për të gjykuar krimet më të këqija të kryera nga luftëtarët.
Në prill, tetë udhëheqës të guerilasve tashmë të paditur, pranuan se kishin kryer mbi 21,000 rrëmbime.
Top Channel