Korrupsioni në Shqipëri është rritur ndjeshëm, pasi bizneset janë të detyruara të paguajnë gjithnjë e më shumë para nën dorë për zyrtarët e shtetit.
Këto janë gjetjet shqetësuese të vrojtimit të kryer nga Banka Botërore dhe BERZH, i cili e rendit Shqipërinë në vend të dytë pas Zambisë për nivelin e lartë të ryshfetit.
Sipas raportit, një kompani shqiptare pagoi gjatë vitit 2019 mesatarisht 3.1% të xhiros vjetore ryshfet për zyrtarët e shtetit, duke pësuar rritje gati me 3-fish që prej 2013-ës.
Me këtë normë të lartë ryshfeti, ku vlerësohet se 36% e kompanive të anketuara deklarojnë se u është kërkuar një herë para nën dorë për marrjen e një shërbimi publik, Shqipëria renditet mes vendeve me nivelin më të madh të korrupsionit në botë që përfshijnë vendet e Afrikës.
Krahas burokracive të mëdha, korrupsioni krijon një mjedis mjaft të pafavorshëm të të bërit biznes në vend thekson raporti, duke penguar zhvillimin e sipërmarrjeve.
Tre rastet më të zakonshme kur zyrtarët e shtetit u kërkojnë bizneseve të paguajnë dorazi më shumë ryshfet përfshijnë atë të marrjes së një leje ndërtimi, lidhjen e kontratave të ndryshme me shtetin si dhe gjatë takimeve me zyrtarët e tatimeve.
E në fakt kjo e fundit rezulton edhe më shqetësuese sipas raportit, pasi rreth 35% e kompanive të pyetura shprehen se gjatë vitit 2019-ës u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga tatimorët, çka tregon për një nivel të lartë korrupsioni.
Vrojtimi i sipërmarrjeve që Banka Botërore dhe BERZH realizojnë kryhet çdo gjashtë vjet për secilin vend të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku bizneset pyeten lidhur me klimën e biznesit, taksave, ambientit rregullator dhe mbi të gjitha korrupsionin.
Top Channel