Vuri njerëz të ndiqnin dhe fotografonin ish vëzhguesin ndërkombëtar? Zbardhet vendimi për Elisabeta Imerajn: Nuk ka asnjë provë!

21/06/2021 12:33

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin për akuzat e ish vëzhguesit ndërkombëtar, Hans Kijlstra ndaj kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj se ka kryer përgjime të paligjshme.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arsyetuar se nuk ka asnjë provë apo indicie për përgjime. Nga asnjë institucion ligjzbatues në Shqipëri nuk rezultoi asnjë lloj e dhëne, prove apo indicie që të lidhë subjektin e rivlerësimit me pretendimin e ngritur për vëzhgime apo fotografime të mundshme të ish vëzhguesit ndërkombëtar.

Për vërtetimin e faktit të pretenduar është denoncimi i paraqitur nga Rrahim Sehu, i depozituar pranë Komisionit me 24 gusht 2020.

Nga hetimi administrativ nuk rezultoi të administrohet asnjë fotografi, apo përgjim për ish vëzhguesin  Hans Kijlstra – tashmë i larguar nga ONM, i cili kishte lënë disa vëzhgime bashkë me informacionin e siguruar nga dy burime, një shqiptar dhe një i huaj, që Imeraj kishte vënë njerëz ta ndiqnin dhe ta fotografonin, përfshirë pretendimin se kishin foto kompromentuese ndaj tij.

Pretendimet e bazuara në letrën e Rrahim Shehut mbeten pretendime të shprehura nga ky i fundit pa asnjë të dhënë tjetër me vlerë provuese.

Nga ana tjetër, bazuar ne dokumentacionin e administruar, nuk rezulton që Kijlistra ta ketë adresuar shqetësimin e tij gjatë qëndrimit në Shqipëri në asnjë nga agjencitë kompetente për ndjekjen e rastit, si ne polici apo prokurori, fakt ky i konfirmuar nga përgjigjet zyrtare.

Një ndër pretendimet e tjera të ngritura ndaj kryeprokurores së Tiranës ishte edhe për ndikimin ndaj trupës së gjyqtarëve të KPK-së

Por edhe ky pretendim nuk rezultoi në asnjë provë nga ana e trupës së KPK-së, së përbërë nga Olsi Komici, kryesuese dhe dy anëtarët Suela Zhegu Roland Ilia.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një organ i krijuar me Kushtetutë dhe ligj, për të bërë rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Kushtetuta dhe ligji kanë dhënë mundësinë që një organ i tillë, e për pasojë dhe çdo trupë gjykuese që merr në shqyrtim një çështje, për çdo subjekt rivlerësimi të ketë pavarësinë në dhënien e çdo vendimi. Çdo veprim i Komisionerëve gjatë ushtrimit të detyrës ka në bazë të veprimtarisë së tij paanësinë objektivitetin dhe përgjegjshmërinë. Edhe në rastin e komisioneres së dorëhequr, qëndrimi i shprehur prej saj në formë të shkruar, si dhe qëndrimi i mbajtur prej saj, gjatë pyetjeve të bëra për arsyet e heqjes dorë, e lidhin kërkesën për heqjen dorë, me faktin se komisionerja e ka humbur elementin thelbësor në vendimmarrje ‘të qenurit objektiv’, për procedurën e rivlerësimit të subjektit E.I”, thuhet në vendimin e KPK-së, i marrë me një 1 prill të këtij viti.

Në këtë mënyrë, akuzat e ngritura në seancë dëgjimore nuk qëndrojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA