“Bëje dhe më duhet sot” , lutet në Whats app njëri nga qytetarët që kërkon  një test covidi pa kryer asnjë analizë dhe pa shkuar aspak në një klinikë që ofron shërbime të tilla pas të cilave lejohet udhëtimi jashtë vendit.

Prokurori Bledar Balikaj mbasi kqyri dhjetra komunikime me të dyshuarit , firmosi 15 urdhër ndalime, që zbulojnë skemën e falsifikimeve të testeve ,të cilat përftoheshin për shuma nga 15 deri në 25 euro ku mbasi i interesuari konfirmohej negativ ai mund të udhëtonte.

Në një nga rastet sipas dosjes që TCH disponon konstatohet se nga telefoni i shtetasit Ermir Koçi dërgohen vazhdimisht fotografi të kartave të identitetit dhe në një moment dërgohet edhe një ID kosovare ku shkruhet se duhet sa më shpejt.

Por nga kqyrja e sistemit ‘deep see’ prokurori Valikaj ka zbuluar se porositësi nuk gjendej aspak në Shqipëri dhe pavarësisht kësaj ai e ka siguruar testin.

Hetimi  nisi mbas kallëzimit të administratorit të një laboratori në Tiranë i cili vuri në dijeni drejtësinë se persona të paidentifikuar po falsifikonin fletë të analizave të testit covid 19 me logon e laboratorit në fjalë duke vendosur barkode dhe të dhëna të rreme.

Referuar rasteve të zbuluara në Rinas prokuroria hetoi dhe zbuloi se një nga të dyshuarit kryesore është shtetasi Roland Karrica i cili përmes një kancelarie fotokopje printime ka siguruar teste false.

Mes të ndaluarve që janë angazhuar për të ndihmuar të dyshuarin është edhe një mjek  si dhe një inxhinier i OSHEE.

Prokurori Valikaj në urdhrin e ndalimeve që çoi në pranga 15 persona thekson se në telefonin e të dyshuarit kryesor ka edhe përdorues numrash që nuk janë identifikuar ende.

 

 

 

Top Channel