Anglia nuk shkoi përtej barazimit pa gola në derbin britanik ndaj Skocisë, duke treguar edhe njëherë se është shumë larg pritshmërive, pasi në dy ndeshjet e para në grup ka marrë 4 pikë, duke shënuar vetëm një gol dhe duke mos impresinuar me lojën e saj.

Trajneri Gary Southgate ka pranuar se sfida ndaj Skocisë kishte shkaktuar një farë nervozizmi te anglezët, megjithatë u shpreh se i duhet njohur merita edhe kundërshtarit që u impenjua maksimalisht dhe u mbrojt me shumë forca.

“Ishte një natë shumë frustruese dhe natyrisht që e patëm të vështirë të dilnim në lojën tonë. Këto janë sfida të ndjera dhe nuk e përballuam si duhet presionin, megjithatë duhet t’i njohim meritën edhe kundërshtarit. Skocia u impenjua maksimalisht dhe u rreshtua me forca të shumta mbrapa, duke na lënë shumë pak hapësira”, u shpreh anglezi Southgate.

Harry Kane nuk e ka bërë ende “sefte” me golin në Euro 2020, teksa edhe ndaj Skocisë u pa larg formës së tij më të mirë dhe u zëvendësua në minutat e fundit nga Marcos Rashford. Southgate shpjegon arsyet pse hoqi dorë nga kapiteni dhe pranon se futbollistët e tij mund të bëjnë më mirë në fushën e lojës.

“Nuk jam i shqetësuar për Kane, pasi ai vihet në shërbim të skuadrës dhe e di se do të vijnë edhe golat. Ndaj Skocisë donim të fitonim dhe në minutat e fundit kisha nevojë për Rashford, që ka një tjetër hap dhe shpejtësi loje. të gjithë jemi të bindur që mund të bëjmë më mirë sesa kaq dhe do të tregojmë fytyrën tonë që nga ndeshja e ardhshme”, u shpreh trajneri i “tre luanëve”.

Top Channel