Për Italinë, e kualifikuar tanimë në 1/8-at, në ndeshjen ndaj Uellsit është momenti që t’i japë frymëmarrje ndonjë prej lojtarëve që kanë shpenzuar më shumë energji, por jo për të bërë llogari. Është ky mendimi i Roberto Mancinit në vigjilje të përballjes me Bale dhe shokë, pasi trajneri nuk pranon devijime nga filozofia e lojës së bukur dhe aq më pak pranon mundësinë për të menaxhuar rezultatin e ndeshjes. Në prononcimin e tij, trajneri i Italisë është i qartë.

“Skuadrës time i kërkoj që të luajë si gjithmonë, në sulm, duke i bërë gjërat për së mbari. Synojmë fitoren për ta mbyllur grupin si kryesues, ndonëse do të jetë e vështirë, luajmë në orën 18.00 dhe temperaturat do të jenë të larta”.

Edhe pse nuk dëshiron të bëjë llogari trajneri i Italisë e kupton nevojën për një rotacion për të menaxhuar energjitë teksa shprehet se disa nga lojtarët kanë të nevojshëm një pushim për të rikuperuar energjitë. “Do të jetë ndeshja e 3-të brenda 10 ditësh dhe dy të parat kërkuan goxha energji. Disa lojtarë natyrisht janë më të lodhur se të tjerët dhe ky ndoshta është momenti i vetëm për të bërë disa ndryshme”, u shpreh trajneri i “axurrëve”.

Mancini e pranon ndërkohë se mes risive mund të jetë edhe rikthimi në fushë i Verratit, për të cilin deklaroi se nuk është ende në 100% fizikisht, por mund ta kompensojë me cilësitë teknike. “Natyrisht që nuk është ende në kondicionin fizik prej 100% siç mund të jenë të tjerët, por në të njëjtën kohë ka cilësitë teknike që mund të kompensojnë këtë mangësi. Po, mund të luajë, por të shohim nëse do të ndodhë nga fillimi apo gjatë lojës”, tha Mancio.

Në horizont duken ndërkohë edhe ndryshime në sulm, me Mancinin që shprehet se Chiesa mund të luajë në të gjitha rolet në repartin ofensiv.

Top Channel