Plot 300 kilogramë lëndë e dyshuar kokainë u kapën në Portin e Durrësit nga Task Forca e Portit. Burime për Top Channel bëjnë me dije se Italia ishte destinacioni final i kamionit që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut.
Dyshohet se nga Maqedonia e Veriut, droga që do të kalonte tranzit nga Shqipëria kishte si destinacion veriperëndimin e Italisë për t’u hedhur më tej në tregun e narkotikëve. Shoferi është identifikuar si Nazif Ajroski, 40 vjeç dhe ka mohuar të ketë dijeni mbi ngarkesën e paligjshme.
Pakot siç shihet dhe në foton e shpërndarë nga policia kanë etiketa të markave të njohura. Sasia e mallit të paligjshëm është konstatuar kur kamioni i është nënshtruar skanimit dhe më pas gjatë kontrollit fizik është zbuluar sasia e fshehur e drogës së ndarë në pako.
“Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
Top Channel