Akuzat për shpërdorim detyre/ Dënohet me ‘punë në interes publik’ ish-kryetarja e bashkisë Gjirokastër

17/06/2021 14:39

Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bëjnë me dije se ish-kryetarja e bashkisë Gjirokastër u dënua me detyrimin për të kryer punë në interes publik për akuzat për shpërdorim detyre.

Zamira Rami u shpall fajtore dhe u dënua për shpërdorim detyre  me 1 vit burgim duke e pezulluar ekzekutimin e burgimit dhe duke lënë si përfundim detyrimin për të kryer punë në interes publik.

SPAK e akuzoi ish-kryetaren e Bashkisë Gjirokastër se në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime që kanë sjellë prishjen e dy pronave private gjatë realizimit të dy projekteve, një prej të cilave në kuadër të Rilindjes Urbane.

Në vitin 2019, pronarët e banesave të prishura për shkak të zbatimit të dy projekteve denoncuan Ramin në Prokurorinë e Gjirokastrës për “shpërdorim detyre”, duke pretenduar se nuk ishin dëmshpërblyer. Më pas dosja u transferua për kompetencë në SPAK.

Zamira Rami u zgjodh në krye të bashkisë Gjirokastër në vitin 2015 si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim me 54.47 % të votave. Pas vendimit të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet lokale të 2019, Rami nuk kandidoi për një mandat të dytë.

 

 

FOTO GALERI
1/5

Top Channel