Maqedonia e Veriut po përballet me mungesë të vaksinave kundër koronavirusit, ndërsa autoritetet shëndetësore po i shfrytëzojnë dozat e fundit për rivaksinimin e personave, të cilët kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani është vaksinuar 10 për qind e popullatës.
Mbi 195 mijë persona kanë marrë nga dy doza, ndërsa në bazë ditore rivaksinohen jo më shumë se pesë mijë persona.
Javë më parë, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka paralajmëruar se në javën e parë të qershorit do të mbërrijnë 500 mijë vaksina kineze Sinovak, por ato nuk kanë arritur ende.
“Dje jam njoftuar nga Ambasada e Republikës së Kinës që në shtatë ditët e ardhshme duhet të marrim 500,000 doza të Sinovakut”, ka deklaruar Filipçe më 4 qershor.
Së voni, Maqedonia e Veriut ka pranuar rreth 30 mijë vaksina kineze si donacion nga Turqia dhe disa mijëra të tjera nga Greqia, të cilat po përdoren për rivaksinim të qytetarëve.
Filipçe, ndërkohë, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të nisë vaksinimi edhe i fëmijëve të moshave 12-16 vjeç.
Opozita maqedonase i akuzoi të mërkurën institucionet për “dështim të plotë në përballje me pandeminë dhe imunizimin e popullatës”.
“Derisa Maqedonia e Veriut përballet me mungesë të vaksinave – për momentin vetëm procesi i rivaksinimit është duke u zhvilluar – qytetarët po kërkojnë shpëtim dhe po vaksinohen jashtë vendit. Derisa bota po përgatitet seriozisht se si të përballet me llojet e reja të koronavirusit, Qeveria jonë nuk po arrin ende t’i sigurojë vaksinat”, tha Marija Andonovska, anëtare e kryesisë së VMRO DPMNE-së.
Për shkak të mungesës së vaksinave, infektolugu Dragan Danillovski bëri thirrje që personat që e kanë kaluar koronavirusin, të mos vaksinohen, por këtë mundësi t’ua japin atyre që nuk kanë krijuar imunitet.
“Ju që keni vuajtur, keni imunitet për të paktën gjysmë viti dhe bëhuni më shumë solidarë dhe mos u vaksinoni tani. Ata që nuk kanë imunitet, le ta bëjnë këtë së pari. Në këtë mënyrë, ne do ta mbërrijmë qëllimin e dëshiruar më shpejt, duke arritur 80 deri në 85 për qind të imunitetit kolektiv. Vjeshta po afrohet ngadalë dhe ne duhet të jemi të përgatitur”, tha Danillovski.
Maqedonia e Veriut, sot dhe dje, nuk ka regjistruar asnjë viktimë nga koronavirusi.
Raste aktive në nivel kombëtar janë 420 persona.
Top Channel