Aktivistja për të drejtat e komunitetit LGBT, Xheni Karaj, ka denoncuar një rast të rëndë që ka ndodhur në rrugët e kryeqytetit.
Përmes një statusi në rrjete sociale ajo shkruan se një anëtare e komunitetit Transgjinor në vendin tonë është sulmuar dhe dhunuar ditën e sotme.
Karaj shkruan se 21 vjeçarja është dhunuar verbalisht e fizikisht nga 10 djem, si dhe ka postuar foto të vajzës ku duken qartazi shenjat në trupin e saj.
“Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sulm, ne kërkojmë urgjentisht që rasti të zbardhet nga autoritetet dhe të vihen para drejtësisë autorët e dhunues; Ne kërkojmë gjithashtu të ndalet menjëherë gjuha që nxit dhunë ndaj komunitetit LGBT, dhe një reagim të menjëhershëm të institucioneve përgjegjëse!”, shkruan më tej aktivistja.
Postimi i plotë:
Deklaratë: Aleanca LGBT, Pro LGBT
Në sfondin e deklaratave të rënda homofobike të ditëve të fundit që nxisin dhunë, urrejtje dhe diskriminim, një anëtare e komunitetit Transgjinor në vendin tonë është sulmuar sot (16.06.2021) verbalisht e fizikisht në rrugët e Tiranës.
Dhuna ndaj L. 21-vjeçe Është dokumentuar me foto ku duken qartasi shenjat në trupin e saj, të bëra nga 10 djem të keqedukuar, e të nxitur nga dhuna verbale e të ashtuquajturve “profesionistë” nëpër studio televizive dhe në rrjetet sociale!
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sulm, ne kërkojmë urgjentisht që rasti të zbardhet nga autoritetet dhe të vihen para drejtësise autorët e dhunues; Ne kërkojmë gjithashtu të ndalet menjëherë gjuha që nxit dhunë ndaj komunitetit LGBT, dhe një reagim të menjëhershëm të institucioneve përgjegjëse!
Çdo anëtarë i komunitetit LGBTI+ ka të drejtë të jetë i lirë në rrugë, shtëpi e në hapësirat publike, ndaj kjo është një ngjarje e trishtueshme dhe alarmante, që kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të duhur në respekt të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, dhe në përmbushje të angazhimeve që institucionet kanë marrë përsipër.
Në një studim të Bankës Botërore, është gjetur se personat që i përkasin komunitetit LGBTI, pra Gej, Lesbike, Biseksualë, Transseksualë dhe Ndërseksualë, janë të dhunuar, të urryer dhe të harruar nga shteti i tyre. Ky studim e rendit Shqipërinë në vendin e parë në rajon si shteti që jo vetëm nuk pranon personat LGBTI, por që i diskriminon ata.
Top Channel