Mungesa e vrojtuesve të plazhit vazhdon të jetë një problem serioz në vendin tonë.
Federata e vrojtimit të plazheve dhe vrojtimit në ujë ka nisur trajnimin e rojeve bregdetare. Deri tani numërohen rreth 780 punonjës të trajnuar, një numër i vogël, krahasuar me nevojën që ka bregdeti.
Sekretari i Federatës së Vrojtuesve të Plazhit, Genti Lasku ishte këtë mëngjes i ftuar në “Wake Up”, ku tregoi sa vrojtues i duhen plazheve shqiptare, për të garantuar sigurinë në det.
“Në Shqipëri, duhet të ketë minimalisht 1500 vrojtues plazhi, të cilët do të operonin. Por nuk mund të themi që këta 1500 duhet të jenë se zbën se ka disa plazhe që janë nga 20 metra vijë bregdetare, që mund të kërkojnë më pak, sepse është 80 metra për një vrojtues.
Ashtu siç ka plazhe që janë 120 metra vijë bregdetare ujore largësi, që duhet të jenë patjetër 2 vrojtues. Ka lidhje zona ku je, ditët etj. Pra, nuk mund të shkosh në 80 metra vijë lineare në Golem, ku në ujë ndodh një mbingarkesë”.
Lasku thotë se deri tani janë 1900 aplikime, por vihet re mungesë e vrojtuese të trajnuar, sepse “ikin jashtë shtetit ose nuk i pëlqen si profesion”.
“Të rinjtë gradualisht po e përqafojnë këtë punë. Por zakonisht synojnë të bëjnë një ‘boom’ imediat, kërkojnë të ikin jashtë, kërkojnë lekë të shpejta. Dhe të punosh vrojtues plazhi aty në çadër, për të shpëtuar njerëzit, është diçka shumë modeste, që do dhe të pasurit e një standardi ekonomik të qëndrueshëm. Në Shqipëri nuk e kemi luksin e të pasurit të kësaj gjëje”.
Top Channel