Entuziazmi i tifozëve të pranishëm në “Hampden Park” të Glasgow-t dhe dëshira e futbollistëve për fitore nuk i mjaftoi Skocisë për të marrë pikë në përballjen ndaj Çekisë, në sfidën e dytë të Grupit D.
Përfaqësuesja çeke triumfoi me rezultatin 2-0 me të dy golat të realizuar nga Patrik Schick, ish-futbollist i Romës, aktualisht pjesë e Leverkusenit në Bundesligë.
Sigurisht “perla” e 25-vjeçarit thuajse nga gjysmë e fushës në fillim të pjesës së dytë do të jetë pa dyshim një nga momentet më të bukura të këtij eventi të madh të futbollit.
Më i miri ndeshjes, Schick, e dha shkëndijën e parë në minutën e 15-të, duke e detyruar portierin skocez, Marashall, ta devijonte topin në fundore.
Skocia, e cila e nisi me vrullin e saj të zakonshëm takimin, por rastin më të mirë në fraksionin e parë e pati në të 32-tën, me portierin Vaclik që devijoi mrekullisht topin pas gjuatjes së fortë Robertsonit.
Takimi u zhbllokua në minutën e 42-të nga Schick, që kërceu bukur me kokë pas krosimit të Coufal.
Skocezët e nisën me të njëjtin vrull edhe pjesën e dytë, por ishin të pafat në minutën e 49-të, kur tentativa e Hendry-t u stampua në traversë.
Vetëm pak çaste më vonë vjen mrekullia e Patrick Schik, që pasi mori në zotërim topin në mesfushë, vuri re daljen e portierit Marashall, duke realizuar nga mbi 45 metra largësi.
Pikërisht ky finalizim i pazakontë i dha më shumë qetësi skuadrës çeke, ndërsa skocezët përtej rrezikut që krijuan në portën e Vaclik, veçanërisht me Lyndon Dykes (62’ dhe 66’), ishin të detyruar ta pranonin të dëshpëruar disfatën, që i klasifikon në vendin e fundit, ndërsa Çekia merr vendin e parë, me golaverazh më të mirë se Anglia, e cila mposhti me rezultat minimal Kroacinë një ditë më parë.
Top Channel