Humbi zgjedhjet për kryetar partie të PD, reagon Agron Shehaj: Jam mirënjohës për këdo që më mbështeti për të sjellë qasje të re në politikë

14/06/2021 16:17

Agron Shehaj ka reaguar për zgjedhjet në PD pasi ishte i dyti më i votuari ndërsa fitoren e mori sërish Lulzim Basha.

Me anë të një postimi në Facebook, Shehaj tha se është mirënjohës për cdo demokrat që i besoi dhe e mbështeti.

Agron Shehaj: Ju falenderoj me gjithë zemër të gjithë ju demokratëve që më votuat. Ju jam mirënjohës juve dhe gjithë qytetarëve që më besuan dhe më mbështetën për të sjellë një frymë dhe qasje të re në politikë. Ndihem pafund mirënjohës ndaj vëzhguesve dhe ekipit që punoi me mua këto tre javë.

Lulzim Basha mori mandatin e tretë dhe për katër vitet e ardhshme do të drejtojë Partinë Demokratike. Nga mbi 41.000 demokratë që morën pjesë në votim, 32.882 prej tyre ia besuan drejtimin e PD Lulzim Bashës.

I dyti më i votuari u rendit kandidati Agron Shehaj me 6.038 vota pasuar nga Edit Harxhi 991 vota dhe Fatbardh Kadilli 763 vota. Votimit të së dielës i paraprinë akuza të forta nga rivalët e zotit Basha për parregullsi të shumta.

I vetmi që doli përpara medias të komentonte këtë proces zgjedhor në PD e të ritheksonte problemet ishte Fatbardh Kadilli, i cili tha se pamë demokratë, themelues partie, ish-deputetë, drejtues dhe figura publike që nuk gjenin emrin në listë.

Top Channel