PS, kongres për mandatin e tretë/ Rama tregon strategjinë. Gramoz Ruçi jep dorëheqjen nga çdo funksion politik

13/06/2021 00:24

Përvjetori i 30 e gjeti Partinë Socialiste në pushtet dhe me rekordin e fitores së mandatit të 3 qeverisës. 3 dekadat histori politike i kthyen socialistët pas në kohë, ku kujtuan si fillim babain politik, i cili ishte prezent virtualisht në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë që themeloi.

Jo vetëm themeluesit. Mungesë në kongres nuk morën as zërat kritik. Në dokumentarin historik Arta Dade kishte lënë pas të shkuarën e përplasjeve me Edi Ramën duke përshëndetur familjen e saj politike.

Me zemër të thyer socialistët përkujtuan edhe Bashkim Finon ish-kryeministrin e pajtimit kombëtar i cili humbi jetën gjatë rrugës pa mundur të gëzojë fitoren. Në gjysmëfushën e gjelbërt të futbollit , golin e bëri Gramoz Ruci, i cili shënoi fundin e karriges së tij politike.

Krahas humbjes së lojtarit më të vjetër, kryesocialisti Edi Rama pritet që në vjeshtë të nisë ndeshjen politike me një skuadër të re. Objektivat e mandatit të 3 nisin nga vetja. “Duhet komunikim, të krijojmë një këshill me qytetarët. Të dëgjojmë çdo dië. T’i japim fund historisë së punësime me mik. Nëse shikoni një kushëri timin në punë, atëherë më kërkoni t’ju fus kushërinjtë në punë”- tha Rama.

Drejtësia e re është vija e kuqe për Edi Rama. Para saj nuk do të kurseje as të vetet. ‘Drejtësia nuk do të jetë mburojë për ministrat dhe deputetët’ – vijoi Rama. Dora e shtrirë vijon të mbetet e shtrirë për kundërshtarin politik. Kryesocialisti caktoi kufijtë e bashkëpunimit me opozitën.

‘Politika e ditës, larg sherreve dhe akuzave. Me PD bashkëpunojmë vetëm për të mirën e vendit! E kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit për interes të shqiptarëve’- tha Rama. Socialistët hapën rrugë një procesi të thellë analize në parti për rezultatin e 25 Prillit , e cila do të nisë nga qeliza deri në qendër. Hapja e partisë dhe ripërtëritja e strukturave mori dritën jeshille nga kongresi i jashtëzakonshëm.

Top Channel