2500 demokratë votojnë sot në Fier/ Luan Baci: Anëtarët e PD, të motivuar për të zgjedhur kryetarin e ri

13/06/2021 09:43

Këtë të dielë (datë 13 qershor) rreth 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike janë drejtuar për në qendrat e votimit, në 76 të tilla në të gjithë Shqipërinë, ku do të votojnë për kryetarin e ri të kësaj force politike, në një garë mes katër kandidatëve

Procesi i votimit ka nisur që prej orës 08:00 të mëngjesi të sotëm dhe pritet të përfundojë në 19:00 të pasdites.

Kryetari i degës së PD-së në Fier, Luan Baci, në një prononcim për mediat u shprehet se procesi i votimit në Fier po vijon në mënyrë të rregullt dhe me një pjesëmarrje të lartë.

“Ka filluar procesi i votimit. Komisionerët u paraqitën që në orën 07:00 të mëngjesit, për të dy komisionet. Dega e Fierit është një degë me një numër mbi 2500 anëtarë aktivë me dy komisione votimi. Komisionerët, vëzhguesit e të 4 kandidatëve janë aty. Në orën 08:00 u hap procesi i votimit dhe siç e shikoni ka një fluks anëtarësh të PD që vijnë për të votuar. Vijon një proces i rregullt dhe me pritshmëri për një pjesëmarrje të lartë”, shprehet ai.

Baci bën të ditur se pas mbylljes së procesit të votimit do të nis menjëherë numërimi i fletëve të votimit dhe më pas do të shpallet rezultati përfundimtar. Ai shton se anëtarët e PD-së janë të motivuar për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë për të vazhduar me ‘fushatën’ tjetër, atë të përballjes me Ramën.

“Vëzhguesit janë brenda në sallë, në bazë të udhëzimit dhe rregullores, janë vetëm komisionerët dhe vëzhguesit të kandidatëve. Në 19:00 të mbrëmjes bëhet mbyllja e procesit, por nëse ka anëtarë të cilët po votojnë absolutisht nuk ndërpritet procesi, por vazhdon derisa voton anëtari i votimit. Më pas, komisioni i numërimit dhe votimit bën numërimin e fletëve të votimit dhe shpalljes së rezultatit.

“Kemi gjithë javën që kemi thirrur anëtarësinë tonë në takime të ndryshme me të 4 kandidatët. Do thoja që është një interesim shumë i madh, duke pasur parasysh që PD doli nga një palë zgjedhje të vjedhura të 25 prillit. Anëtarët e PD janë të motivuar për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë dhe për të vazhduar fushatën tjetër, atë të përballjes me Ramën”, tha më tej Baci.

Top Channel