Shpallja “non grata” e Berishës dhe zgjedhjet në PD, flet Rama: Ç’na duhet ne? Duhet tu ikim sherreve

12/06/2021 19:42

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e DASH për të shpallur “non grata” Sali Berishën, i cili ka vendosur që ta çojë çështjen në Gjykatën e Parisit.

Në Kongresin e PS, Rama i kërkoi socialistëve të qëndrojnë larg sherreve, të mos të merren as me këto punë, as me kundër-akuza për fushatë, as me zgjedhjet në PD dhe aq më tepër me dallavere kur kanë punë të mëdha për të përfunduar.

Rama: Nuk dua t’ju mbaj gjatë se duhet të jetë mandati i fjalimeve të mia më të shkurtra. Në fund dua të ndalem tek marrëdhëniet politike të vendit në raport me misionin tonë për Shqipërinë 2030. Boll ti mendosh të gjitha këto dhe nuk të del kohë të arrish tek politika, jo më të merresh me politikë. Këtu kam parasysh jo politikën në vetvete, jo artin për ta bërë të mundshme të pamundurën, kam parasysh ditën e politikës shqiptare, bamin dhe bumin, hamin dhe humin, tamin dhe tam tamin që ua ka bërë shqiptarëve politikën një shejtan që u trazon dhe gjumin pasi ua ka nxirë gjithë ditën.

Kjo dallavere e pambarimtë nuk është për ne. Nëse duam t’i mbarojmë punët e stërmëdha për ta çuar Shqipërinë në atë vend ku ky popull pret ta shohë dhe nuk arrihet për 30 vjet të tjera nëse harxhohet për bam e bum dhe jo për punë e gjumë. Bami sjell bumin, rrushi imiton rrushin, tenxherja do kapakun, por ne duhet medoemos ta bëjmë duke u përqendruar tek populli dhe punët që duhet të bëjmë çdo ditë. Duhet tu ikim sherreve, të lëmë kundërakuzat, fushata ka mbaruar, PS ka fituar. Tani pasi ka fituar duke thënë atë që do bëjë, duhet të bëjë atë që ka thënë.

Duke fituar Shqipëria, PS do fitojë përsëri. Ç’na duhet ne çfarë bën PD, ç’punë kemi ne si i bën apo jo zgjedhjet brenda saj, si kremton fitoren e zgjedhjeve të lira pa i numëruar votat dhe nuk njeh rezultatet e vjedhjeve. Çfarë na intereson ne se di apo nuk di PD si e qysh ta lidhi kalin edhe në portin e Departamentit të Shtetit që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit edhe në sallën e Gjykatës së Parisit, ç’na duhet ne. Kush bën sherre e shamata, sherri do dëgjojë sherrin dhe shamataja do dëgjojë shamatanë. Ne sepse Shqipëria veç për sherr e shamata nuk ka as kohë, as energji për të humbur, duhet që tërë kohën e energjinë ta shfrytëzojmë që tu kthejmë shqiptarëve borxhin e mandatit të tretë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA