Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Rusinë, e vlefshme për Grupin B, theksoi rëndësinë e ndeshjes së parë, që përtej emrit të kundërshtarit, shpesh ka prodhuar rezultat surprizë.
“Ndeshja e parë është shpeshherë më e vështira në një turne të madh. Duhet të futesh në lojë i përgatitur, si mendërisht ashtu edhe fizikisht. Do të jetë një provë e vërtetë, ne e njohim shumë mirë këtë skuadër. Ata e dinë përmendësh fushën dhe do të kenë mbështetjen e tifozëve të tyre.”
Nga kampi kundërshtar, trajner rus, Stanislav Cherchesov, duke vlerësuar kundërshtarin tha se pret një ndeshje argëtuese, të cilën ekipi i tij do të tentojë ta fitojë.
“Belgjika ka 18 lojtarë që kanë luajtur në Kupën e Botës në 2018. Ata padyshim që janë një ekip i fortë. Ne jemi përballur me ata tri herë në vitet e fundit (Rusia humbi 3-1 dhe 4-1 në kualifikimet europiane dhe barazoi 3- 3 në një miqësore) dhe të gjitha ndeshjet ishin vërtet argëtuese. Nesër duhet të luajmë në maksimumin tonë për të fituar.”
Top Channel