Kuvendi i Shqipërisë votoi sot, me 104 vota pro, shkarkimin nga detyra të Presidentit Ilir Meta.

Analisti Ilir Yzeiri, i ftuar në “Top Talk”, shprehet se ky vendim ishte i nevojshëm dhe se Meta shkarkoi veten me veprimet e tij.
Politikisht, Ilir Meta u shkarkua, që kur filloi të luajë mendsh, që kur përleshej për godinën e FRD-së. Që në datën 22 pril, kur në një intervistë për një televizion lokal kundërshtoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tha se duan të më vrasin te mali me gropa. Meta, nga pikëpamja politike dhe morale, duhet të ishte shkarkuar me kohë”.

Sipas tij, shkarkimi i Presidentit, i jep fund “aleancave të politikës së mbrapsht shqiptare:
Ky parlament ka një meritë të madhe, se të paktën u shpreh politikisht për një figurë, që kishte dëmtuar kushtetutën, dëmtoi marrëdhënien me aleatin tonë strategjik dhe u shfaq si shpërfytyrim i institucioneve”.

Yzeiri thotë se me heqjen e Ilir Metës, nuk prishet balanca e pushteteve. Këtë argument e kundërshton analisti Roland Lami, sipas të cilit shkarkimi i Metës sjell probleme të tjera.

Meta, jo me me aktin sot, por dhe veprime të tjera, ka krijuar një arketip të pangjashëm me çdo President tjetër. Jo më kot janë karakteristika si figura mbi palët, të jetë i distancuar nga interesa të ngushta politike. Janë karakeristika që nuk i shkojnë formatit dhe xhaketës së Metës.

Unë gjej pak arsye për të shkarkuar Presidentin, për shkak se ata që kanë ideuar dhe kanë ndërtuar kushtetutën, e kanë parë në dy momente ekstreme, siç është ajo e shkeljes së kushtetutës dhe një krimi të rëndë. Dhe fakti që e kanë parë në dy momente ekstreme”.

Lami kundërshton nismën që ndërmori parlamenti, në muajt e fundit të mandatit qeverisës.
Ne dimë që ka një aspekt procedurial për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore, i cili thotë se katër muajt e fundit të mbylljes së mandateve, nuk lejohet ngritja e komisioneve hetimore. Po të bësh numërimin e ditëve, jemi brenda katër mujorëshit të mbylljes së mandateve.
Pavarësisht se mazhoranca mund të jetë në të drejtën e vetë, nuk mund të marrë iniciativa të tilla, me largimin e opozitës nga kuvendi, kemi një numër problematik ndaj një çështjeje kaq të rëndësishme, siç është shkarkimi i Presidentit.

Aty kemi opozitë, por de fakto, e kemi të vështirë ta konsiderojmë opozitë, që mund të identifikohet me opozitën reale që mund të ishte sot në parlament. Të gjitha këto e bëjnë një politikë të paragjykuar dhe jo shumë serioze, siç do ta kërkonte çështja në fjalë.

Por, në krahun tjetër, është dhe i vështirë shkarkimi i tij vjen me një tjetër paradoks. Kemi një President, që nuk është Presidenti që do të donim, por në krahun tjetër, është në pamundësi Gjykata Kushtetuese për të kapur arsye për ta shkarkuar atë dhe unë gjykoj se ky rast mund të shërbejë për të parë si të ndërhyhet në situata të tilla, që të mos i lejohet Presidentit kaq hapësirë, që të abuzojë në emër të pamundësisë për ta shkarkuar atë”.

Top Channel