Nga e njëjta sallë ku katër vite më parë e votuan si President, socialistët vendosën ta largojnë nga detyra Ilir Metën, këtë herë me një opozitë të re.

Ilir Meta vendosi precedentin e parë në historinë e Shqipërisë të një Presidenti i të shkarkuar nga Parlamenti. Si rrallë herë Edi Rama i rezervoi ish-aleatit të tij vetëm dy minuta nga koha e tij parlamentare.

Rama: Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ka poshtëruar Kushtetutën, ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti.

Në të njëjtën kohë kur Parlamenti vendoste për fatin e tij politik kënga dhe vallja gjëmonte në oborrin e Presidencës.

Ilir Meta injoroi Parlamentin dhe foli me zërin e zëdhënësit të tij, i cili e konsideroi vendimin antikushteues.

Për herë te pare nga nisja e hetimit parlamentar heshtjen e theu edhe Partia Demokratike, e cila më shumë sesa lir Metën , mbrojti institucionin e Presidentit.

Kuvendi pritet t’ia dërgojë vendimin e tij brenda harkut kohor te 5 ditëve gjykatës kushtetuese që është arbitri final. Votat e 5 nga 7 anëtarëve kushtetues mund ta nxjerrin përfundimisht nga zyra e Presidentit, Ilir Metën.

Top Channel