Nis votimi për shkarkimin e Metës, kryeministri Rama rikthehet në Kuvend

09/06/2021 14:16

Kryeministri Edi Rama është rikthyer në ambientet e Kuvendit, ku aktualisht po votohet për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Deputetët janë paraqitur në dhomat e fshehta për të kryer votimin, ndërsa ende nuk dihet nëse Rama do të marrë pjesë në votim.

Kujtojmë sapo u kthye nga vizita që kishte jashtë vendit, Rama shkoi drejt e në Kuvend ku foli vetëm 2 minuta për ish aleatin e tij duke thënë se ka turpëruar popullin shqiptar në marrëdhënie me SHBA, dhe më pas u largua. Mesa duket ka vendosur të rikthehet sërish ndërsa dihet se mazhorancës i duhen 94 vota për shkarkimin e Ilir Metës.

Fjala e Ramës

Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi me statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti. Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit, ka turpëruar popullin shqiptar në marrëdhënie me SHBA, ka zhgarravtur fytyrën e Shqipërisë në marrëdhënie me përfaqësuesit e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri.

Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, prandaj ky parlament sot do të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90% të qytetarëve. Meta ka mbaruar punë dhe fjalët për të si president kanë mbaruar, tani të flasë parlamenti me votë.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel