Klotilda Bushka përmend studimin e Universitetit të Çikagos: Shkarkimi i presidentit nuk është rrezik për demokracinë

09/06/2021 12:11

Klotilda Bushka, anëtarja e Komisionit Hetimor ka folur në Kuvend për shkeljet e Presidentit Ilir Meta duke thënë se procedura për shkarkimin e tij nuk duhet të shihet si rrezik për demokracinë.

Për këtë mori shembull një studim të Universitetit të Çikagos duke thënë se nuk ka pasur asnjë ndryshim në nivelin e demokracisë në çdo shtet që është shkarkuar një President.

Bushka ndau shkeljet e presidentit në katër grupe dhe më pas përmendi faktin që e kanë thirrur disa herë në Komisionin Hetimor për të dëgjuar fjalën e tij, por ai refuzoi të merrte pjesë duke mos njohur legjitimitetin e këtij Komisioni.

Klotilda Bushka: Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit, edhe pse konstatoi shkelje kushtetuese për anulimin e 30 qershorit, konfirmuar edhe nga opinioni i Venecias, bazuar edhe në zgjedhjet dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese vendosi të mos i propozojë kuvendit shkarkimin e Presidentit.

Nga këto ngjarje del qartë kultura e këtij kuvendi për të respektuar institucionin e Presidentit. Pavarësisht kësaj, nga një proces hetimor i Komisionit Hetimor përsëriti akte e sjellje të tilla në zgjedhjet e 2021.

Detyra e Kuvendit për procesin aktual është më se e domosdoshme për të mos lejuar abuzimin e kompetencave për këdo që ushtron detyrën e Presidentit. Kjo procedurë nuk duhet të shihet si rrezik për demokracinë. Sipas studimit të fundit të Universitetit të Çikagos, në çdo vend që është shkarkuar një president, nuk ka asnjë ndryshim në nivelin  e demokracisë.

Komisioni Hetimor ka arritur në përfundimin se Presidenti ka kryer shkelje të rënda, të cilat do ti ndaja në katër grupe:

1– Si përfaqësues i unitetit kombëtar, përfshirja e presidentit në fushatën zgjedhore si të ishte forcë politike dhe rolin asnjanës që duhet të ketë, dispozitë që e detyron që të duket asnjanës në sytë e publikut, humbja e neutralitetit të presidentit. Qëndrimi pro apo kundër një force ndikon dhe nga ana tjetër cenon të drejtat e subjekteve politike për tu zgjedhur.

2- Grupi i dytë i shkeljeve lidhen me rendin dhe sigurinë.

3- Grupi i tretë lidhet me integritetin e organeve publike.

4- Grupi i shkeljeve që kanë lidhje me cenimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA.

Të gjitha këto shkelje kanë cenuar dhe aktet e institucionit të Presidentit. Ndër të tjera, Komisioni Hetimor ka marrë hapat që presidenti të dëgjohej, por zgjodhi me dëshirë e këmbëngulje të mos merrte pjesë duke mos njohur legjitimitetin e Komisionit Hetimor.

Top Channel